03-11-2024

Psikologu Shaban Çoçaj: Vetëvrasjet tregojnë domosdoshmërinë e psikologëve nëpër shkolla

Prizreni, lagja “Bajram Curri” , fshati Korishë e sidomos nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni”, që humbën dy nxënëse të të njëjtës klasë, brenda një jave vazhdojnë të jenë me ndjenjën e dhembjes për fatkeqësinë, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.

Kjo bëhet edhe më e rëndë, për shkak se dhënia fund e jetës në mënyrë vullnetare në rrethana të ngjashme, duke kërcyer nga objektet të larta, që nuk ka qenë karakteristikë e këtij qyteti.

Psikologu i njohur prizrenas, Shaban Çoçaj, duke folur për rastet e kësaj natyre,  thotë se ndër shkaqet kryesore që çon në këto veprime është kriza e identitetit me fragjil të personalitetit  të adoleshentit,  për fat të keq të patrajtuara nga institucionet relevante, duke filluar nga shkollat, familjet dhe institucionet shëndetësore në Kosovë.

“Shkolla në të cilën ka ndodhur vetëvrasja e parë është dashur të ndërmarrë masa, pasi zakonisht në këto raste në klasën e së ndjerës pas rastit të parë e gjithë klasa ka qenë e traumatizuar. Është dashur të veprohen edhe me shoqen e saj të ngushtë, shpirtërisht binjaken e cila tani është e ndjerë”, tha ai.

 

Çoçaj që njëherësh ka qenë edhe drejtor rajonal i Shëndetit Mendor për Prizren rekomandon që të intervenohet menjëherë terapia kolektive për klasën e të ndjerave përmes Specialistes për fëmijë dhe adoleshentë, pastaj të psikiatres në mjekësinë familjare. “Duhet intervenim për të evituar shkaktaret e vetëvrasjeve përmes higjienës mendore, për të mos ndodhur efekti domino për bashkëmoshatarët në klasat e të ndjerave”, ka thënë ai.

Duke ju referuar përvojës,  pasi ka qenë kryetar i Bordit të Psikologëve të Kosovës, gjatë periudhës  2007-2011, për profilizimin e Psikologëve dhe Psikologëve klinik të Kosovës në Ministrin e Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit në Kosovës,  Çoçaj konsideron se rastet e fundit kanë treguar  se është nevojë emergjente punësimi i psikologëve nëpër shkolla dhe mbyllja e qarkut trekëndësh fëmijë-nxënës-prind në të gjitha nivelet.

Sipas tij, në nivel vendor janë rreth 500 psikologë, por në vend që të sistemohen nëpër institucione përkatëse sidomos nëpër shkolla, ata janë të detyruar të punojnë punë të tjera, si në Banka, apo organizata tjera. /Gazeta e Prizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.