20-04-2024

Prizrenasit, vëlla e motër kampionë në sporte të ndryshme

Në familjen Muhadri nga Prizreni këtë vit ka pasur gëzim të dyfishtë. Dy prej tre fëmijëve që merren me sport, e kanë përfunduar edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme, me titullin e kampionit.

Aulona Muhadri ishte e para në familje që u shpall kampione. Fitoi titullin e kampionit në Ligën e Femrave të basketbollit me skuadrën e Bashkimit, duke e kthyer këtë trofe në qytet pas shtatë vjet pritjeje, shkruan sot “Koha Ditore”.

E tri javë pas Aulonës, kampion u shpall vëllai Albioni, që është më i madh. Por Albioni titullin e festoi në një sport krejt tjetër, futsall. Ai ndihmoi ekipin e Prizrenit të inkuadrohet në Superligën e futsallit të Kosovës në edicionin e ri, si kampion i Ligës së Parë.

Si Albioni ashtu edhe Aulona kanë pasur ndikim të madh në sukseset e klubeve të tyre. Ndërsa, vëllai i vogël, Egoni është futbollist tek ekipi i juniorëve të Lirisë dhe shpreson që shumë shpejt të shkojë hapave të Albionit dhe Aulonës.

“Unë ndihem krenar që kam një vëlla e motër kampion. Ata janë shembuj për mua dhe unë iu gëzohem sukseseve të tyre, pasi mundohem t’i përkrahi në çdo ndeshje. Shpresoj që edhe unë shumë shpejt të shkoj hapave të tyre, pra të bëhem kampion”, shprehet Egoni 18-vjeçar./koha.net/

Asnjë koment

Comments are closed.