21-10-2026

Rrahje në Qendrën e Azilit në Magure – algjeriani dyshohet se sulmoi turkun, viktima përfundon në QKUK

Një përleshje fizike ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Qendrën e Azilit në Magure të Lipjanit, ku një shtetas algjerian dyshohet se ka sulmuar një shtetas turk, të dy rezidentë të kësaj qendre. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari ka përfunduar në ndalim policor.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur më 19 tetor 2026, rreth orës 18:30, brenda Qendrës së Azilit në fshatin Magure.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, i dyshuari është Mokhtar Mokhtari Ahmed rreth 44-vjeç, shtetas i Algjerisë, ndërsa viktima është H.B. rreth 39-vjeç, shtetas i Turqisë, i cili po qëndronte përkohësisht në këtë qendër.

Nga informacionet fillestare dyshohet se shtetasi algjerian e ka sulmuar fizikisht rezidentin tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Motivi i sulmit ende nuk është sqaruar, ndërsa në informacionet e para është përmendur mundësia që i dyshuari të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit. Megjithatë, kjo rrethanë nuk është konfirmuar përmes ndonjë rezultati të alkooltestit.


Si pasojë e sulmit, shtetasi turk ka pësuar lëndime dhe ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili, pas shqyrtimit të rrethanave fillestare, ka vendosur që i dyshuari të ndalohet për 48 orë.

Rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar shkakun dhe rrethanat e incidentit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.