18-10-2026

Protestat e dhunshme në Tiranë, reagon raportuesi i Parlamentit Evropian: Ndaloni përshkallëzimin, dhuna nuk është zgjidhje

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe Policisë së Shtetit në Tiranë, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit të situatës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Schieder ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në kryeqytetin shqiptar, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, pavarësisht se nga cila palë ushtrohet.

Ai ka vlerësuar të drejtën e të rinjve për të protestuar dhe për të kërkuar kushte më të mira në arsim, duke theksuar se institucionet duhet t’i marrin seriozisht kërkesat e tyre.

“Në të gjithë Evropën, të rinjtë po dalin në rrugë, nga Parisi dhe Berlini deri në Tiranë. Ata po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, ka deklaruar Schieder.

Sipas tij, protestat e të rinjve duhet të shërbejnë si një sinjal për qeveritë që të rishikojnë politikat e tyre, veçanërisht në sektorin e arsimit.

“Kjo është e drejtë dhe e nevojshme, dhe duhet t’i nxisë qeveritë të rishikojnë qasjen e tyre. Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve”, ka theksuar ai.

Reagimi i zyrtarit evropian vjen në kohën kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me tensione të shumta, ndërhyrje policore dhe përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit për shpërndarjen e protestuesve.

Gjatë ditës së diel, forcat policore kanë ndërhyrë në zonën pranë Kryeministrisë, duke larguar protestuesit nga sheshi, ndërsa një pjesë e tyre janë rigrupuar në zona të tjera të kryeqytetit.

Schieder ka kërkuar që situata të mos përshkallëzohet më tej, duke vënë theksin te rëndësia e protestës paqësore dhe respektimi i të drejtave demokratike.

 

Asnjë koment

Comments are closed.