02-12-2024

20 vjet nga rikthimi i zërit shqip në Radio-Prizren (VIDEO)

Mbushen 20 vjet nga rikthimi i zërit shqip në Radio-Prizren, institucionin e vetëm informativ lokal të para luftës, në rajonin e Prizrenit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Largimi i shqiptarëve, pas aplikimit të masave të dhunshme nga regjimi serb i Milosheviqit, që nisi fillimisht me mbylljen e Radio-Televizionit të Prishtinës (RTP) dhe ndalimin e gazetës së përditshme “Rilindja” u reflektua edhe me mbylljen e radiove lokale për shqiptarët.

Pas largimit të redaksisë shqipe, ish-drejtori i atëhershëm i Radio-Prizrenit nga komuniteti turk, Mehdi Xhibo nuk pranoi ta udhëheq këtë medium pa redaksinë shqipe, andaj u largua.

Lënia në terr informativ e popullatës shumicë ishte qëllimi. Kjo gjendje zgjati deri në çlirimin e Prizrenit, në qershor 1999, kur radio kishte heshtur për shqiptarët.

Me krijimin e situatës së re, punëtorët e larguar u rikthyen në vendet e tyre të punës.

Ish-redaktori, Vahit Kabashi, kujton se në koordinim me Kryetarin e Prizrenit, Kadri Kryeziun, ishin pajtuar për domosdoshmërinë e rifillimin të transmetimit, që u bë pas kontrollit nga mjetet eksplozive në objekt.

Fillimisht kishte vështirësi për fondin e muzikës shqipe, për të cilin Haki Krasniqi (tashmë i ndjerë)  kishte  siguruar një numër të këngëve, derisa një pjesë e muzikës ishte siguruar nga Radio-Kukësi.  Po ashtu ishin siguruar edhe lidhjet telefonike përmes PTT-së”.

Falë transmetuesit të valëve të mesme, zëri i Radio-Prizrenit, dëgjohej deri në Mitrovicë. Këtë e dëshmonin thirrjet telefonike nga të gjitha anët e Kosovës, të cilët uronin për rifillimin e punës.

Radio-Prizreni kishte mbështetje të pa rezervë nga udhëheqja komunale, e cila siguroi disa pajisje teknike dhe ofroi ndihmë materiale për kompletimin e nevojave emergjente të radios.

Drejtor i ri ishte emëruar ish- gazetari, Bashkim Sylejmani, përcjell “GazetaePrizrenit.net”

Pas heshtjes 9 vjeçare, nisi edhe transmetimi i parë shqip në eter. Pas himnit kombëtar ishte transmetuar një intervistë e drejtpërdrejtë me prefektin Kryeziu.

Lajmet e para merreshin nga Shtabet e UÇK-së, pastaj nga udhëheqja komunale dhe gazetarët e bashkëpunëtorët në terren.

Emisionet kryesisht ishin të drejtpërdrejta, ndërsa përmes dy lidhjeve telefonike në studio zhvilloheshin biseda me dëgjuesit, sidomos me refugjatët e sapokthyer nga vende të ndryshme.

Në këtë kohë, një mënyrë Radio-Prizreni ishte shndërruar në një qendër informacioni për gazetarët ndërkombëtarë dhe ata të qyteteve të tjera.

Përmes valëve të radios më pas folën edhe pjesëtarët e KFOR-it dhe të UNMIK-ut që kishin termin të rezervuar kohor.

Më pas në radio u formuan edhe redaksitë në gjuhën turke dhe boshnjake.

Radio-Prizreni është themeluar me vendim të Kuvendit Komunal të Prizrenit, në vitin 1975 . /GazetaePrizrenit.net

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.