07-10-2024

Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë.

Intervista: Flet Mjeshtri i Madh, Jorgo Papingji:

Jemi në një moment delikat, politika duhet të jetë elastike si arti

-Si do ta cilësojë Papingji situatën politike në vend?

Nuk jam marrë më e politikë, pasi politika më e mirë për vendim tim, për kombin tim është poezia, arti. Një peoni për Atdheun është sa mijëra fjalë boshe të politikanëve. Sot më tepër se kurrë politika shqiptare duhet t’i thërrasë mendjes për të qenë e qetë, gjakftohtë, korrekte me ligjin dhe Kushtetutën që t’i shërbejë sa më mirë vendit të saj. Politikanët bëjnë ligjet, ata tensionojnë situatën pasojat i vuan populli. Me ç’të drejtë kjo klasë politike luan me fatin e popullit tonë të shumëvuajtur? Me ç’të drejtë kjo klasë politike acaron situatën që mund të degjenerojë dhe përkeqësohet më tej? Kush jua jep këtë të drejtë të luajnë me jetën e një populli që iu ka besuar me dëshirë fatet e tij? Për mendimin tim kjo klasë politike duhet të largohet pasi janë të njëjtat fytyra për shumë e shumë vjet. Ju lutem, kujdes. Jemi në zgripin e acarimit dhe të humbjes së orientimit. Kujdes, kujdes. Larg zjarrit dhe kokëfortësisë. Larg mendjemadhësisë dhe arrogancës. Larg molotovëve dhe provokimeve. Zgjedhjet të zhvillohen të qeta, sipas fregullave sipas Kushtetutës. Bibla e politikanëve është Kushtetuta. Të zbatohet siç duhet pa anësi. Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë

-Sot ka shumë këngëtarë por tekstet e këngëve vlejnë për të dëshiruar?

Sot nuk ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia ka ngritur në këmbë Perandorë, Presidentë, Kryeministra, një popull. Poezia është fjala më e bukur e zotit.

Në këto situata, a vazhdon Jorgo të krijojë?

Normal është i vetmi ngushëllim. Krijimtaria më largon nga ky terr që e ka çuar vendin politika. Dëgjoj në televizione lajme të pabesueshme dhe marr lapsin. Aty gjej ngushëllim. Aty sikur largoj hallet. Tashmë po përgatitem për tekstet e disa këngëtarëve të njohur, të cilët kanë pak kohë që janë shkëputur nga pjaca e këngës, nga CD dhe kanë dëshirë të rikthehen apo kanë dëshirë me shumë pretendime. Këngëtarët e mëdhenj është e vështirë të rikthehen me të njëjtat parametra. Rikthimi është gjithmonë i vështirë dhe duhet një punë e madhe nga të dyja palët këngëtari, autori i tekstit dhe kompozitori.

–Keni qenë pjesë e shumë Festivaleve të Këngës në RTSH, kini sukseset tuaja në to, por keni pasur dhe zhgënjime? Po kështu dhe në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër?

Normal të gjitha ndodhin. Ky është evenimenti më i madh i muzikës së lehtë shqiptare në Radio Televizion, eveniment ku unë prej afro 40- vjetësh kam qenë pjesëmarrës i rregullt. Unë kam qenë jo vetëm pjesëmarrës por fitues i shumë çmimeve dhe nga viti në vit po rris përgjegjësinë ndaj vetes, kërkesat në raport me kohën dhe pjekurinë time krijuese. Por po ashtu dua të flas për Festivalin e Fëmijëve në Shkodër. Ashtu si në Festivalin e RTSH edhe në Festivalin e Fëmijëve kam qenë po aq vjet pjesëmarrës ku aty kam marrë 27 çmime. Ky festival gjithmonë është në kërkim të formave të reja, pasi ka një natyrë tjetër. Ka një bukuri tjetër. Fëmijët janë të mrekullueshëm. Zërat e tyre janë si cicërimat e zogjve që të relaksojnë. Ky festival organizohet gjithmonë në kuadër të Festës së 1 Qershorit, Festës së Fëmijëve. Fëmijët nuk duan t’ia dinë për politikë, për hallet e shqetësimet, ata duan të realizojnë ëndrrat e tyre, dëshirat e tyre. Ata duan këngë dhe lodra. Ndaj ky festival ka afërisht gjysmë shekulli që është realizuar gjithmonë në Shkodër. Ka pasur tentativa të ndryshme që njerëzit kanë thënë që pse mos ta bëjmë në qytet tjetër, por kjo nuk është miratuar. Për mua them sepse është bërë mirë, sepse ato vende që e kanë traditën të ruajnë traditën e tyre për atë lloj aktivitetesh që ata e kanë të pasur me eksperiencë, prodhimtari dhe me raporte të ndërtuara në festival. Zgjedhja e Shkodrës për këtë Festival në monizëm s’ka qenë e rastësishme. Ky qytet ka tradita ta vjetra në muzikë. Kjo nuk do të thotë se kanë qenë të gjitha gjërat me kuptime politike, ato bëheshin me një shpërndarje gjeografike të Shqipërisë të aktiviteteve që bëjnë aktivitete të ndryshme të Shqipërisë. Dikush bënte muzikën e vet. Ku festivali i Gjirokastrës bënte muzikën Popullore, Festivali i Shkodrës merrte muzikën për fëmijë. Po nuk është vetëm shpërndarja gjeografike, që është bërë në Shkodër ka edhe një arsye tjetër që e ka zanafillën në kulturën shkodrane, në dëshirën për muzikën shkodrane, tek talentet që ka prodhuar Shkodra. Pra, është një tokë ku muzika mbillet dhe lulëzon, dhe pse mos të mbillej që në farë kjo muzikë e të pritej sa të rritej e të bënte lule. Pra, Shkodra u përzgjodh si një tokë që do talente, që e do muzikën dhe që e ka hak që të jetë aty.

–Je lidhur shumë me këtë Festival të fëmijëve ndoshta edhe si kompensim i diçkaje të munguar, pasi duhet të kesh pasur fëmijëri të vështirë?

-E vërtetë, e tillë ka qenë fëmijëria ime. Sot mund të them se kam pranë vetes shumë fëmijëri. Fëmijëria ime më ka shoqëruar gjatë gjithë kohës së rritjes sime. Brenda vetes jam sa plak aq edhe fëmijë. Dhe këtë pleqëri që mbaj ma zhduk kjo fëmijëri që mbaj brenda vetes. Unë mendoj se artisti po ta ketë brenda vetes këtë fëmijëri dhe po të dijë t’i marri erë kësaj fëmijërie nuk plaket asnjëherë. Ndoshta është një gjë e çuditshme nganjëherë, që në moshën time të hershme kam pasur dëshirë të merrem me artin. Që fëmijë i vogël në kopsht bëja teatër kukullash. Unë kam lindur në Vlorë dhe në shtëpi po ashtu bëja teatër. Ishte një tenxhere hajati dhe ne në atë tenxhere merrnim kukulla dhe e me dorën lart bënim kukulla të ngjarjes që ne kishim sajuar vetë ose kishim dëgjuar. Më vonë pastaj kur bënim fletoren e kujtimeve në fund të vitit gjithmonë më shkruanin Jorgo Papingji regjisor. Në atë kohë unë nuk e kisha idenë se çfarë ishte regjisori. Ngadalë ngadalë kjo u binjakëzua me veten time. Shpirti binjak i imi ka qenë dëshira gjithmonë për artin, kjo më bëri të shkruaj. Në atë kohë ne kishin një gazetë të Vlorës “ Fjala Jonë”, kjo ishte gazetë muri. Aty ishte një redaksi që shkruanin artikuj për fëmijë përveç problematikave të ndryshme të mëdha, si gjëra që ndodhnin në klasë etj. dhe unë u bëra kryeredaktor i asaj reviste, përvoja e parë që pastaj më ndoqi më vonë. Bëhet fjalë, që nga viti 1948. Unë kam filluar të shkruaj shumë shpejt. Kam pasur një nënë shumë të kujdesshme që na mësonte vazhdimisht edhe kur nuk kishim shkollë. Unë jam rritur pa baba dhe nënën e kishin edhe baba edhe nënë. Ajo i donte fëmijët të mirë, të edukuar dhe të kulturuar. Kjo siç duket dha frytet mbrapa, dhe pastaj erdha në Tiranë . Në Tiranë kam ardhur nga klasa e katërt fillore dhe këtu kam filluar të ndjek mësimet në një shkollë me shumë emër që në atë kohë quhej “Shkolla e kuqe”. Kjo shkollë ka pasur mësues shumë të mirë, që të gjithë kanë mbjellë diçka tek formimi im. Ato dijeni dhe vlera njerëzore që më kanë dhënë ata mësues unë i ndjej ende një filiza të mbjellë tek vetja ime. Qoftë për artin, kulturën, gjuhën e huaj etj. Dhe nuk mund të lë pa përmendur poezinë e parë që kam shkruar. Si sot më vjen në mendje kjo poezi, pasi e kam shkruar në fletoren e kujtimit.

Si zjarri që le hirin

Po lë edhe unë kujtimin

……

Aty e kam lënë për herë të parë dhe kujtimin për shokun tim, e kam lënë me poezi. Këtë ngjarje e mbajta me vete dhe pastaj e shkrova në fushën e këngës për fëmijë. Kam një këngë të bërë vite më pas kur kam ardhur këtu që e ka zanafillën në ato materiale të kohës së fëmijërisë p.sh.

Kur u ula të mendohem

Për një lodër të mendoja,

Nisa penën ta kafshoja

Më shpëtoi një pikë me bojë.

Rri mendoj e rri mendoj,

si t’ia bëj njollës me bojë.

Fletën e bëra pis

si t’ia bëj ta fshi apo ta gris.

S’do ta fshij e s’do ta gris,

fletën që e bëra pis.

Përditë ta shikoj

e më mos të gaboj.

Një poezi e formuar, që përkon me vitet e hershme të rinisë ?

-Bëhet fjalë për klasë të parë gjimnaz, d.m.th, në klasë të 8-të. Unë atëherë isha prezantuar si krijues. Dhe në festivalin e fëmijëve që u bë dy vjet më vonë unë u paraqita me Aleksandër Lalon, dhe pastaj shkuam në Shkodër. Pastaj çdo varg që që kam shkruar e ka pasur fëmijërinë brenda si; shqetësimet e fëmijëve, lodrat e fëmijëve. Marrëdhëniet e fëmijëve, inatin, dashurisë e fëmijës. Edhe në rrugë kur më shikonin ndoshta thoshin se ky nuk është normal, ecja me letër përpara kur shikoja p.sh. vajza që luanin me litar unë e skicoja dhe thosha se këtë do ta bëj këngë për fëmijë.

Dhe e kam bërë. E ndjej veten shumë mirë se të gjitha lodrat e fëmijëve kanë nga një këngë, si e ka kush e ka, loja symbyllazi, një nga vajzat me litar etj. Kam një këngë që ka fituar çmim dhe këndohet edhe sot si p.sh.

Hapa dollapa

kush është fshehur mbrapa

Hopa Albana dil se të kapa

Genci Ermira ja Beni Zamira

Ja edhe Çiljeta, të gjithë i gjeta!

Kjo është lojë dhe këndohet kur luhet ajo lojë. Prandaj është e asimilueshme dhe e bukur.

-Sa këngë për fëmijë keni shkruar?

Deri më sot unë kam shkruar mbi 600 këngë për fëmijë, ndoshta mund ta ketë kaluar pak, të cilat pothuajse të gjitha kanë çmime. Vetëm në këto vitet e fundit në festivalet e Shkodrës unë kam qenë i pari në çmim. Ka aktivitet që i kam marrë çmimet e para dhe të dyta dhe të treta bashkë. Ka pasur 1 deri në 3 dhe jo më tepër se tre, sepse nuk lejohet. Kanë qenë të kërkuara dhe unë jam detyruar t’i bëj. Kur ka njerëz që të kërkojnë, nuk i thua dot jo. Se ka prindër që fëmijën e vet ta nxjerrin sa më mirë, por atë do edhe kompozitori e që e kompozon atë tekst, por atë do edhe organizatori që e organizon festivalin që janë disa parametra që të detyrojnë të shkruash. Në jetën time unë i kam provuar të gjitha gjinitë e letrave, kam shkruar këngë për fëmijë, për të rinj, për festivale dhe këngë për të gjitha llojet e festivaleve që bëhen në Shqipëri si “Kënga magjike” etj.

-Po studimet e larta?

-Shpesh herë kur mblidhemi, se unë kam punuar në arsim dhe kam qenë drejtor shkolle dhe pastaj kam punuar në Shtëpinë e Pionierit Nr.4, dhe sa herë organizoheshim dhe kur ndaheshim pastaj thoshin se ne të letërsisë ndahemi këtej. Unë i thosha, jo, se unë kam mbarur Shkencat e Natyrës, Fizikën. Në jetën time kam dhënë Fizikë.

-Si ka mundësi që ju që ishit dhe ndiheshit që fëmijë regjisor të shkolloheni për Fizikë?

-Për nxënësit e mirë të shkollave të mesme, para se të dilte e drejta e studimit, organizoheshin olimpiada. Qe një mënyrë për të gjetur njerëz të aftë, për të gjetur nxënës të mirë, që të fitonin me meritë bursë. Atëherë unë isha nxënës i mirë dhe me prirje të jashtëzakonshme për fizikën, sensi im ishte orientuar si vrojtues i thellë i natyrës dhe saktësisë. Madje i kisha me aq shumë dëshirë sa në periudhën e gjimnazit dhe të shtatëvjeçares unë mbaja çelësat e laboratorit të fizikës dhe të kimisë. Unë luaja rolin e laborantit për profesorët etj. Unë atë që do të bëja mësim e kisha lexuar nga kurioziteti. Pjesëmarrja ime në një olimpiadë dhe fitimi i çmimit të parë i kësaj olimpiade të Fizikës që u bë në vitin 1960, kur isha maturant në shkollën “Çajupi” ku kaluam nga shkolla e “ kuqe” në shkollën “Çajupi”. Atëherë nxënësit më të mirë i merrnin shkencat e natyrës. Fillova fakultetin e Fizikës duke mos pasur qejf të dilja mësues. Kisha shumë dëshirë të studioja për inxhinieri elektrike. Më vonë nuk pata mundësi të hyja tek inxhinieria elektrike dhe vazhdova Fizikën.

-Në kohën që ju ishit shumë i lidhur me Fizikën, a nuk ishit i lidhur me mësuesin e letërsisë fare?

-Edhe me mësuesin e letërsisë kam qenë shumë i lidhur, sepse unë i doja letrat dhe leximin shumë, shkruaja shumë bukur, ku hartimet e mia lexoheshin shumë herë para klasës. Madje hartimet i shkruaja edhe në vargje. Në shkollë jam mbajtur me prirje të mira për letërsinë. Të gjitha i kam pasur brenda vetes si Letërsinë, edhe Fizikën, edhe Regjisorin, edhe Skenaristin dhe i kam bërë të gjitha këto punë. Kam punuar edhe në shtëpitë e pionierit dhe grupet artistike dhe koncertet i kam ndërtuar vetë, skenarin vetë dhe të gjitha vetë. Isha një njeri me disa duar që i bëja vetë dhe prandaj shkonin gjërat aq mirë sa nuk ishte nevoja të mblidhja të tjerët.

-Kë do të veçonit si ditën më të bukur të jetës suaj në kuadrin e krijimtarisë?

-Në kuadrin e krijimtarisë ditën më të bukur të jetës sime do të veçoja ditën kur mora pjesë në Festivalin e të rriturve dhe për herë të parë fitova çmim të tretë. Kjo u realizua në festivalin e 14-të. Kjo ka qenë një këngë me Aleksandër Lalon. Atmosfera mbas festivalit të 11-të ishte shumë e ngrirë, mungonte kuraja për të shkruar tema të lira, sepse pati edhe pasoja. Atëherë poetët nuk kishin kurajë të shkruanin tema lirike. Në atë vit unë shkrova një temë lirike. Aty thjesht ishte një temë që tregonte vetëm dashurinë dhe që nuk merrej fare as me politikë dhe as me probleme të tjera shoqërore. Këngët që kanë fituar çmime të para kanë qenë këngë të bukura, me muzikë shumë të bukur. Kënga që unë fitova dhe mora çmim të tretë titullohej “Kur jemi bashkë të dy”. Kënga ka qenë shumë muzikale e kënduar nga Liliana Kondakçi dhe Luan Zhegu. Ky çmim më dha një gëzim të madh dhe që nga ai vit asnjëherë nuk i jam ndarë festivalit.

-Atë moment kur kënga juaj mori çmim të tretë, ku ishit dhe si u ndjetë?

-Kur kënga mori çmim të tretë unë isha duke pirë kafenë me Aleksandër Lalon, me autorin e muzikës dhe në një radio që kishim, dëgjuam çmimet. Çmimi ishte një pikturë dhe jo lekë. Çmimi u paguhej 14 lekë të vjetra me 12 vargje. Në atë kohë Ministria e Kulturës ua blinte pikturat piktorëve për t’i ndihmuar ato, dhe një pjesë e tyre i shpërndante në festivale. Mbas disa vitesh pastaj kam edhe një çmim të parë, për të cilin është edhe më i bukur kujtimi. Në atë periudhë m’u dogj edhe televizori dhe për mua ishte shumë. Në atë kohë fitova çmimin dhe më dhanë një televizor SONY.

-Për ç’vit bëhet fjalë?

-Këtë çmim e fitova para 12 vjetësh, në 1996. Kam shumë çmime të para, por ky ishte çmimi i parë i madh. Festivali mbaronte, më 29 dhjetor dhe unë nuk kisha televizor për Vit të Ri. Dhe në të gjithë këtë situatë mërzitjeje del që një firmë që sponsorizoi Festivalin dha televizor.

-Ku ndjeni më shumë emocion, tek festivalet për fëmijë apo tek ata për të rritur?

Description: http://telegraf.al/wp-content/uploads/2019/06/jorgo7777.jpg

-Çdo lloj aktiviteti ka emocionet e veta që nuk krahasohen me njëri -tjetrin. Unë edhe sot e kësaj dite marr pjesë në të gjitha festivalet e të rriturve, por kënaqësinë që ma jep festivali i fëmijëve nuk ma jep asnjë festival tjetër.

-A kujtoni ndonjë emocion në festivalin e fëmijëve që mes tyre ju keni qenë I emocionuar?

-Ajo më ka ndjekur gjithë jetën. Unë çdo vit kam pjesëmarrje në festival, qoftë në atë të Tiranës qoftë edhe në atë të Shkodrës. Dhe në të gjitha rastet është bukur kur thonë që ky xhaxhi është ai që ka bërë këngën, të përqafon etj., është një kënaqësi që zgjat shumë dhe të kënaq.

-Unë kam vënë re një zbrazëti të madhe shpirtërore, unë e lidh shumë kompozimin e muzikës me tekstin. Sot këngët e Festivalit të Radio Televizionit nuk kanë tekst, pra ka përsëritje fjalësh dhe një refren me dy tri fjalë, kur teksti është ai që të mbërthen të mallëngjen.

Çfarë do të thoni ju për këto tekstet e sotme të këtyre këngëve?

-Unë nuk marr përsipër të tekste e këngëve të tjerëve. Gjithmonë çdo njeri që krijon ka sensin e krahasimit. Mund të them që ka nga të gjitha asortimentet, ka të bukura. Dhe shija e njerëzve nuk ka marrë një formim të plotë ku tenton dhe kjo ka arsyen e vet. Ne u hapëm, se ishim të mbyllur dhe kështu hynë të gjitha gjërat. Mbas kaq vjetësh po kalon ajo që ne kopjuam dhe shkunden ato të tepërtat dhe del një gjethe e gjelbër dhe e bukur. Unë them se kjo është një kohë që do të kalojë në krijimtari dhe do ta filtrojë. Unë po ndjej se tekstit po i jepet më shumë rëndësi. Një tekst i bukur duhet muzikuar bukur, kur muzika nuk thotë dot atë që thotë teksti nuk del kënga bukur.

-A është marrë ndonjëherë me politikë profesori dhe a keni ndonjë peng në jetë?

-E ndjej politikën si pjesë që duam nuk duam ne është në krye të gjithçkaje që ti do të arrish. Është e lidhur me mentalitetin që ke ti për jetën. Me dëshirat që ke. Dhe gënjen ai që thotë që nuk e ndjek politikën. Unë kam vetëm një peng në jetë, që nuk kam njohur tim atë! Babai im ka vdekur kur unë isha gjashtë muajsh!

-E shikoj që duhanin e keni pjesë të jetës, mund t’ju pyes, pse?

-Të gjithë krijuesit kanë tekat e tyre. Unë nuk filloj të shkruaj në qoftë se nuk pi duhan. Dhe gjatë gjithë kohës e mbaj në dorë qoftë edhe kur shikoj tymin. Kjo është tekë tek të gjithë krijuesit. Unë p.sh., kam e dhe një tekë tjetër, nuk mund të shkruaj në një dhomë komode . Unë marr çantën time dhe shkoj punoj në një kafe ku ka shumë zhurmë dhe, në fund, kur mbaroj krijimin , vetëm më pas gjatë kohës që përmendem them , unë kam dëgjuar këtë zhurmë këtu dhe përsëri të nesërmen shkoj atje./Gazeta Telegraf

Asnjë koment

Comments are closed.