Një prizrenas alarmon Policinë pasi gjen 34 doza mar*ihua*në para derës së shtëpisë
Një rast i pazakontë ka ndodhur paraditen e së dielës në Prizren, ku një qytetar ka alarmuar Policinë pasi ka gjetur dhjetëra doza të dyshuara narkotike të lëna para shtëpisë së tij, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 10:00 në rrugën “Ismet Gashi”, në lagjen Arbana.
Sipas informatave, qytetari A.B kishte telefonuar Policinë përmes numrit emergjent 192, pasi kishte vërejtur një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të hedhur para derës së shtëpisë së tij.

Njësia patrulluese e Stacionit Policor Veri në Prizren ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuar se në rrugë ndodhej një qese plastike e bardhë, ndërsa jashtë saj ishin të shpërndara 34 doza të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sinjali mëson se substanca e sekuestruar kishte peshë rreth 23.4 gram.

Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) dhe forenzika, të cilët kanë bërë sekuestrimin e substancës dhe ekzaminimin e lokacionit.
Aktualisht hetuesit janë duke kërkuar dëshmitarë dhe duke verifikuar kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave që dyshohet se e kanë lënë narkotikën në atë lokacion.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale që lidhet me narkotikët, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia DHTN në Prizren.

