12-10-2024

20 vjet të një epoke të re në Prizren (FOTO)

20 vjet më parë në Prizren hynë trupat paqeruajtëse të këmbësorisë së NATO-së dhe nisi largimi i forcave serbe. Dy dekada më pas, Prizreni shënon këtë ditë me vetëm një numër të paqeruajtësve të KFOR-it, ndërsa ushtarët gjermanë që “hapën” të parët dritaren e shpresës në qytetin e ngujuar, tashmë kanë përfunduar dinjitetshëm misionin e tyre, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

12 qershori 1999 është më i veçanti në historinë e re të qytetit historik dhe në kujtesën e njerëzve, që përjetuan këtë ngjarje madhështore e të paharrueshme.

Kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë edhe në këtë pjesë të vendit, që pagoi bukur shumë për lirinë e shumëpritur.

Kjo shënoi hapjen e një kapitulli të ri, një epokë të re të zhvillimit, përparimit dhe dinjitetit e barazisë qytetare.

Lufta heroike çlirimtare dhe ndërhyrja ushtarake e miqve euro-atlantikë, rezultoi me çlirimin e Kosovës, ndërsa ndër të parët që përjetoi gëzimin e lirisë dhe daljen nga “ngujimi” tremujor ishte Prizreni.

Kjo ndodhi në qytetin, që fillimisht “pa e përjetoi” dhembjen nga largimi i dhunshëm i popullatës shqiptare drejt Shqipërisë,  e pastaj përjetoi gëzimin e papërshkruar të hyrjes së KFOR-it dhe të UÇK-së, duke shndërruar këtë datë në një festë krenarie, që zgjati për disa ditë, përkundër dhembjes për humbjen e shumë njerëzve e të dashurve.

Me marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, Serbia detyrohej  t’i  tërheq të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova.

12 Qershori kujtohet si Dita e Çlirimit të Prizrenit. Kjo njihet edhe si Dita e Paqes. Për këtë institucionet publike dhe shkollat pushojnë në këtë komunë.

Pos forcave të NATO-së, në Prizren depërtuan edhe pjesëtarët e UÇK-së, të cilët erdhën nga tri drejtime për mbërritur në qendrën e qytetit “shatërvan” , përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Rol në çlirimin e Prizrenit kishte operacioni ushtarak, të cilin e udhëhoqi  Ekrem Rexha – Komandant Drini. Me përdorimin e metodave të veçanta të taktikës luftarake, UÇK arriti të parandalojë: masakrimin e popullatës shqiptare, shkatërrimin e qytetit dhe pengimin e krijimit të enklavave serbe, të cilat siç është thënë ishin paraparë në disa pjesë të këtij qyteti.

Operacione ushtarake për çlirim zhvilluan edhe ushtarët nën komandën e Nehat Bashës, komandant i Brigadës 125, pastaj Samedin Xhezairit – komandant  Hoxhës, Zafir Berishës dhe njësiteve të tjera të UÇK-së.

Çlirimtarët e Prizrenit nga qytetarët u pritën me entuziazëm dhe dashamirësi me lot gëzimi dhe krenari. Kjo shënoi një epokë të re në qytet dhe Kosovë.

Për 20 vjet, sikur në mbarë Kosovën edhe në Prizren janë shënuar rezultate dhe të arritura të shumta në ndërtimin e vendit. Liria ka ndryshuar vendin tonë.

Tash 20 vjet më pas, në Prizren ka mbetur vetëm një numër i ushtarëve paqeruajtës, ata të KFOR-it turk. Kjo është një shenjë e mirë dhe tregues për progresin e arritur. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.