21 vjet nga rënia e Luan Haradinajt
Sot bëhen 21 vjet nga rënia e ushtarit Luan Haradinaj, që kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Pashtrik, afër Kushninit të Hasit.
Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.
Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë. Kishin arritur afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.
Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlahnë të Hasit të Shqipërisë, deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.
Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.
Në 21 vjetorin e rënies së Luan Haradinajt për sot janë paraparë aktivitete sipas kësaj agjende:
Ora 11:00 Homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmoret e Kombit” në Gllogjan
Ora 11:30 Homazhe të shtatorja e Heroit Luan Haradinaj në Deçan
Ora 11:00 Nis Turniri në futsall në nderim të Luan Haradinajt, në palestrën e sporteve “Ereniku’’ në Junik, finalja në ora 18:00
Ora 17:00- Akademi më Sallën e Kuqe në Prishtinë. /kosovapress/