25-04-2024

23-vjeçari që u vra mbrëmë është djali i dëshmorit Fazli Hoxha, ka lindur disa muaj pasi iu vra babai

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmë te “Ujëvara e Mirushës” në aksin rrugor Klinë-Gjakovë, ku u vra një 23-vjeçar dhe u plagosën dy vëllezër të tij, pas kohës së iftarit, raporton Gazeta Sinjali.

Fazli Hoxha mbeti i vdekur, pasi nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve që mori, ndërsa vëllezërit e tij u plagosën me armë dhe u lënduan me mjete të forta nga katër të dyshuar, të cilët janë arrestuar.

I riu që u vra ka qenë djali më i vogël i familjes Hoxha nga fshati Gollubovc i Malishevës. Ai ka lënë pas vetes edhe 8 vëllezër të tjerë.

Sinjali mëson se 23-vjeçari është djali i dëshmorit Fazli Hoxha, i cili u vra para 23 vitesh. Disa muaj pasi ai u nda nga jeta, ka lindur Fazliu, i cili e trashëgoi emrin e babait.

Motivi i kësaj tragjedie sipas informatave të para dyshohet se është hakmarrja për një incident të mëhershëm që ka ndodhur në Itali.

Arrestimi i të dyshuarve

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se personat që u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje si të dyshuar për këtë rast janë:

Agron Gashi,

Ardit Gashi,

Nderim Gashi dhe

Bahri Gashi.

Përveç tyre, Sinjali mëson se Policia fillimisht kishte arrestuar edhe një person tjetër, i cili pas verifikimit është konstatuar se i njëjti nuk ishte i përfshirë në rast dhe është liruar menjëherë.

Pas arrestimit të të dyshuarve, Policia në shtëpitë e tyre nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë, teksa në vendin ku ndodhi krimi janë sekuestruar gjësende të rrezikshme si thika, zinxhir, lopatë, që për Prokurorinë flasin për një “pritë” klasike të organizuar nga të dyshuarit

Asnjë koment

Comments are closed.