43 nxënës nga shkolla e Zhurit migruan gjatë këtij viti shkollor
Braktisja e Kosovës nga qytetarët për një jetë më të mirë drejt shteteve të zhvilluara konsiderohet si ndër fenomenet që do ketë pasoja të rënda për Kosovën, ndërkaq zvogëlimi i numrit të nxënësve ka prekur edhe drejtorin e shkollës ” Dëshmorët e Zhurit” në Zhur, Ismen Ajazaj, i cili po ndjehet tejet i brengosur.
Ai thotë se asnjëherë nuk i ka ndodhur prej se është pjesë e arsimit që nga paralufta, që brenda një dite t’i kërkohen 20 fletë-kalime për largim nga kjo shkollë, e që i ka ndodhur atij si drejtor gjatë këtij viti shkollor.
Ajazaj, thotë se është tepër e dhimbshme, pasi këtë vit shkollor është regjistruar numri më i lartë i largimit të nxënësve nga kjo shkollë për të migruar jashtë Kosovës, ku nga 45 kërkesa për fletë-kalime, 43 nxënës janë larguar drejt shteteve tjera për një mirëqenie më të mirë familjare. Një gjë e tillë tërheq vërejtjen ai, duhet të jetë alarm për institucionet tona.
Ai thotë më tej se dikur kjo vatër mësimore kishte 1650 nxënës, ndërsa tani ky numër është zvogëluar për rreth 60 % , gjë që na bën të jemi të shqetësuar jashtëzakonisht për humbjen e pjesës më vitale të shoqërisë sonë. Të njëjtin shqetësim me drejtorin Ajazaj, e ndan edhe kryetari i BL të Zhurit, Behar Begaj, i cili thotë se në këtë lokalitet janë tashmë rreth 300 shtëpi të cilave i është vënë kyçi, pasi shumë familje kanë migruar jashtë vendit.
Ndryshe, sipas hulumtimit të organizatave që merren më çështjen e migrimit, përderisa në vitin shkollor 2008/09, 443 e 912 fëmijë kanë qenë të përfshirë në arsimin parauniversitar, në vitin shkollor 2018/19 ky numër ka rënë në 361 e 875 që paraqet zvogëlim prej 22.6% brenda një dekade, që paraqesin shifra shqetësuese për largimin e të rinjve nga Kosova./tvprizreni/