20-09-2020

46 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë shëndetësore

Rreth 630 pacientë janë duke u trajtuar aktualisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet regjionale në vend, ku prej tyre 424 janë të konfirmuar me COVID-19.

Informacione rreth gjendjes së tyre ka dhënë Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Sipas raportit të fundit të ShSKUK’së, 46 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, 19 në respiratorë dhe 27 me CPAP-maskë, derisa 381 janë në oksigjeno-terapi.

“Në QKUK janë të hospitalizuar 265 pacientë- nga ta 214 të konfirmuar me COVID- 19. Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 362 pacientë, kurse të konfirmuar me COVID-19 janë 210″, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë testuar 454 mostra të marra nga QKUK-ja, spitalet e vendit dhe gjurmimi i rasteve në terren, prej të cilave pozitive kanë rezultuar 250 mostra.

Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara nga 13 marsi ka arritur në 9049, me gjithsej 256 raste të vdekjeve, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruse.

Sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, ka infektuar deri tash në gjithë botën mbi 18 milionë persona.

Ky virus është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar.

Gjashtë muaj pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë globale, të paktën 687,000 persona kanë vdekur në gjithë globin.

Përgjatë fundjavës, kjo organizatë ka thënë se pret “periudhë të gjatë” të përballjes me pandeminë e koronavirusit./Gazeta Express

Asnjë koment

Comments are closed.