“500 euro copa”, prokuroria zbulon ‘fabrikën’ e diplomave fals në Prizren
Por, biznesi iu mbeti në gjysmë të premten kur u arrestuan nga Policia e Kosovës. Me kërkesë të Prokurorisë, atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Express iu sjell detaje rreth këtij veprimtarisë së këtij grupi
Më shumë se një vit kohë i janë dashur Policisë së Kosovës që t’i bjerë në gjurmë një grupi të të rinjve që merreshin me falsifikimin e diplomave. Që nga viti i kaluar, ata dyshohet se kanë falsifikuar dokumente në këmbim të parave.
Për falsifikimin e vetëm një diplomë, ata janë paguar prej 500 deri në 2 mijë euro.
Ata janë arrestuar tek të premten, pas një aksioni të Policisë së Kosovës në këto dy rajone. Gjatë bastisjes në këto rajone, janë sekuestruar para, telefona mobilë, kopje të diplomave të profileve të ndryshme, vula dhe formularë të ndryshëm.
“Pesë (5) personat e dyshuar tanimë të arrestuar, duke vepruar në grup në një periudhë kohore, me veprimtari ilegale të shtrirë në disa komuna dhe rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës në këmbim të pagesave në tarifa të ndryshme, kanë siguruar dokumente zyrtare të falsifikuara–diploma të aftësimit profesional, diploma të shkollimit të mesëm e të tjera, për persona të ndryshëm”, kishte njoftuar Policia të premten.
Lidhur me veprimtarinë e këtij grupi, kanë dhënë detaje nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Në Prokurorinë kanë treguar se të arrestuarit në aksionin e së premtes janë M.H., dhe D.G., nga Prizreni, A.R., nga Fushë Kosova, F.Xh., nga Prishtina dhe B.A., nga Podujeva.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, i ka thënë Gazetës Express se ata dyshohen për falsifikim të diplomave të aftësimit profesional, diplomave të shkollave të mesme dhe certifikatave, që nga viti i kaluar.
Sipas Mehmetit, pazari për falsifikimin e këtyre dokumenteve sillej nga 500 deri në 2 mijë euro.
“Të njëjtit, në mënyrë të organizuar që nga fillmi i vitit 2018 – 2019 përpilojnë dokumente të falsifikuara, si diploma të aftësimit profesional (kurse 6 mujore), diploma të shkollave të mesme, çertifikata etj., me qëllim të shfrytëzimit të atyre dokumenteve si origjinale, kundrejt pagesave prej 500€, 1300€, 2000 € për diplomë”, ka thënë Mehmeti.
Pesë të arrestuarit, aktualisht gjenden në paraburgim. Me kërkesë të Prokurorisë, atyre i’u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Për të njëjtit ekziston dyshimi i arsyeshëm se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2, e në lidhje me nenin 31 të KPRK –së. Personat në fjalë, gjenden në ndalim nga data 09.10.2019, dhe me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prizren, i’u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prizren”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit drejtuar Gazetës Express.
Por, ky nuk është rasti i vetëm i falsifikimit të dokumenteve. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 350 raste të tilla.
Bazuar në këto të dhëna, që nga viti 2016 në vend kanë qenë rreth 1 mijë e 400 raste të falsifikimit të dokumenteve dhe rreth 160 raste të posaçme të falsifikimit.
Sipas Policisë, viti me më së shumti raste të tilla po del të ketë qenë 2016’ta.
Statistikat e Policisë së Kosovës
Ndryshe, falsifikimi i dokumenteve dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Nenit 390 të Kodit Penal, kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, dënohet me gjobë dhe burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
“Kushdo që e kryen veprën e paraparë në paragrafin 1 ose 2 të këtij neni si anëtar i grupit të njerëzve, dënohet me gjobë dhe burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”. /Gazeta Express