500 euro gjobë ndaj të akuzuarës se fotografoi votën në zgjedhjet e 6 tetorit

Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarën për cenim të fshehtësisë së votimit, Kllara Nikollbibaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, është vërtetuar se e akuzuara e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas gjykatësit Zika e akuzuara Nikollbibaj është e obliguar që gjobën ta paguajë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh, pas marrjes së tij në formë të shkruar.

E akuzuara Nikollbibaj ishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 16 nëntor të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Kllara Nikollbibaj po ngarkohet me veprën penale “cenimi i fshehtësisë së votimit”  nga neni 215 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, rreth orës 12:40, në Gjakovë, në vendvotimin e vendosur në shkollën fillore “Yll Morina”, në mënyrë të kundërligjshme cenon fshehtësinë e votimit në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 për deputet të Parlamentit të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse në ditën kritike është njoftuar nga ana e komisionerit zgjedhor të vendvotimit se fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar, e pandehura gjatë procesit të votimit me telefon e ka fotografuar fletëvotimin në të cilin kishte votuar. /BetimipërDrejtësi