23-11-2024

532 persona të arrestuar për shtatë muaj në pikëkalimin e Vërmicës së Prizrenit

Pikëkalimi kufitar në mes të Kosovës e Shqipërisë në Vërmicë të Prizrenit vlerësohet si ndër më të ngarkuarit në rajon. Autoritetet e këtushme policore, thanë se gjatë shtatë muajve të këtij viti në këtë vendkalim, që konsiderohet si porta kryesore në mes të këtyre vendeve janë arrestuar 532 persona të kërkuar nga organet e drejtësisë, përfshirë edhe urdhëresat ndërkombëtare, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Toger Arbër Telaku, Shef i Sektorit të Operativës në Stacionin policor kufitar – Vërmicë,  njoftoi se në periudhën janar – korrik të këtij viti në Vërmicë si raste të evidentuara me lëndë narkotike janë gjithsej 26 sosh, ndërsa të dyshuarit e implikuar  janë kryesisht të moshave të reja  dhe atë nga të dy vendet, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria.

Telaku që është edhe anëtar i Komitetit lokal për Siguri në Bashkësi, që vepron në kuadër të Komunës së Prizrenit ka thënë se në shumicën e rasteve, të rinjtë e kapur me substanca narkotike kanë deklaruar se janë përdorues të tyre, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Ai tha se gjatë kësaj kohe, në këtë pikë kalimi në bazë të urdhëresave  vendore janë arrestuar  528 persona,  të kërkuar nga organet e drejtësisë kryesisht për shkak të kundërvajtjes dhe të gjobave.

Në këtë periudhë ndërkaq, 4 persona të tjerë janë arrestuar në bazë të urdhëresave ndërkombëtare .

Referuar të dhënave del se gjatë shtatë muajve të vitit janë regjistruar 2.705.224 hyrje-dalje të personave  dhe  963.955 të automjeteve,  të të gjitha llojeve. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.