24-11-2024

Prizren: Arrestohet njëri nga të miturit që grabitën me thikë turistin japonez

Një rast të grabitjes, ndodhi dje në qendër të qytetit të Prizrenit, ku nje shtetas japonez është grabitur nën kërcënimin e thikës nga tre persona të dyshuar.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas punës hetimore të Policisë, është arritur që të arrestohet i dyshuari i parë, i cili është i mitur, teksa po bëhen përpjekjet për të arrestuar të dyshuarin e dytë dhe për të identifikuar të dyshuarin e tretë.

I mituri është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Grabitje’.

Me vendim të prokurorit ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh.

Çka i grabitën tre të dyshuarit shtetasit japonez dhe si ndodhi ngjarja?

Burimet thonë se gjithçka ndodhi në pikë të ditës, derisa viktima, 41-vjeçar po kalonte rrugën, kur papritmas i dolën përpara të dyshuarit. Përveç që e terrorizuan me veprime agresive, Sinjali mëson se ata nxorën edhe disa thika.

Nën kërcënimin e tyre, tre hajnat arritën t’ia marrin me forcë portofolion, në të cilin kishte një shumë të parave të gatshme dhe disa kartela bankare.

 

Përveç që e kanosën seriozisht, të dyshuarit edhe i përdorën mjetet e mprehta, duke i shkaktuar lëndime trupore 41-vjeçarit, që i pësoi gjatë përballjes me ta.

Ajo që dihet deri më tani është se Policia është aktivizuar për t’i kapur personat e përfshirë në këtë rast.

Ndërkohë edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për rastin dhe posa të prangosen të dyshuarit, pritet të merren veprimet e tjera hetimore.

 

Asnjë koment

Comments are closed.