24-11-2024

74 vjet më parë në Prizren doli gazeta historike Rilindja, me shkronja plumbi nga Tirana

Nga Behlul Jashari

Para 74 viteve më 12 shkurt 1945 në Prizren nisi të dalë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, shkruan në shtojcën monografi të gazetës së 22 Shkurtit 2008  “Rilindja 63 vjet – Kosova në Rilindje drejt pavarësisë”.

Theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja më 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Më 11 Qershor 1950,  Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’ejtën dhe të shtunën”.

Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltër, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielën e 17 Prillit të vitit 1966.

Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer  (Nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetëmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmban 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 fruer (shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413 ndjekësa”.

Rilindja (e datës 1 janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohej për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 -1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qytetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.

Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjetë mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…”

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, shkruan në Monografi.

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”

Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje ushtarako-policore në shtypshkronjë nga regjimi okupues serb në 7 Gusht 1990, edhe kur u dëbua kundërlishëm e padrejtësisht nga shtëpia e saj – Pallati i Rilindjes në 21 Shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut…Nga 18 Janari 1991 doli edhe me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim e orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Gazeta Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit nga UNMIK e deri në numrin e fundit, pas datës 21 Shkurt 2002 deri kur doli përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm e protestues duke e bërë gazetën tradicionale edhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 Dhjetor 1943 dhe e përfunduar në 2 Janar 1944,  deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare…

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të pavarësisë së Shqipërisë.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës shtet i pavarur.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

(Autori – kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes. Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm).

Asnjë koment

Comments are closed.