25-11-2024

8 mijë nxënës me pak në Rahovec, shkak migrimi dhe rënia e natalitetit

Anduena Bajraktari edhe pak javë përfundon klasën e 8 të fillores.

Ajo ndjek mësimet në shkollën e mesme të ultë “Sulejman Vokshi” në Polluzhë të Rahovecit.

Por klasa e saj dallon shumë me ato të shkollave të tjera, pasi Anduena ka vetëm 5 shokë e shoqe të klasës, raporton Kiks Kosova.

Shoku i gjashtë i saj me të cilin kishte ndjekur mësimet që nga klasa e parë, u largua nga vendi këtë vit.

Dhe për këtë ajo thotë se ndjeu një boshllëk të madh.

Të ndjekurit e mësimeve në një klasë të vogël, ajo thotë se mund t’i shkaktojë probleme në të ardhmen, pasi atë e mundon fakti nëse do të ia arrijë të adaptohet në një klasë normale me shumë nxënës, kur të nisë shkollën e mesme.

Polluzha është një nga fshatrat malore të Rahovecit, dhe në të kaluarën e afërt shkolla e fshatit kishte shumë nxënës – numri i tyre arrinte në 230.

Por aktualisht aty ndjekin mësimin vetëm 77 filloristë.

E zvogëlimi i numrit të nxënësve për pothuajse 4 herë më pak, i ka shkaktuar jo pak probleme menaxhmetit të shkollës.

Drejtori i kësaj shkolle, Sinan Bajraktari, për KIKS-in tha se bashkë me uljen e numrit të nxënësve, u përballën edhe me një buxhet më të vogël financiar.

Mësimdhënësi i gjuhës shqipe në këtë shkollë, Eqerem Bajraktari, mungesën e konkurrencës e cilëson si pikën kryesore negative që sjell numri i vogël i nxënësve.

E si faktor që po ndikon edhe në këtë fshat për uljen e numrit të nxënësve ditë pas dite, Bajraktari e cilëson migrimin.

Por jo vetëm fshatrat kanë probleme më zvogëlimin e numrit të nxënësve. Me këtë dukuri po ballafaqohen edhe komunat e vogla, si Rahoveci.

Për pak vjet numri i nxënësve në këtë komunë u përgjysmua.

Drejtori i DKA-së në Komunën e Rahovecit, Avni Morina, tha se si komunë kanë rreth 8 mijë nxënës më pak.

Për KIKS-in, Morina tha se rënia e numrit të nxënësve po sjell probleme edhe në punët menaxheriale të komunës, e sidomos me sistemimin e mësimdhënësve – qofshin ata të ri apo të vjetër.

Me ulje të numrit të nxënësve nëpër shkolla po përballen shumë komuna të Republikës së Kosovës, pasoja këto që po vijnë pas migrimit të madh të kosovarëve jashtë vendit. /Klankosova.tv

 

Asnjë koment

Comments are closed.