23-11-2024

8 objekte të rrënuara pa leje në Prizren

Gjatë periudhës janar- qershor të këtij viti, Inspektorati i ndërtimtarisë ka lëshuar 67 aktvendime për ndalim punimesh të objekteve të ndryshme, në 7 raste është kërkuar asistim policor, ndërsa janë përpiluar 8 procesverbale për ekzekutim të objekteve pa leje përkatëse, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Gjatë kësaj kohe janë përpiluar  358 procesverbale,  pronarëve të objekteve u janë dorëzuar 14 aktvendime për rrënim vullnetar, ndërsa janë iniciuar 7 kërkesa për kundërvajtje.

Sipas drejtorit për Inspektorate, Islam Thaqi në pjesën e parë të vitit,  nga gjykatat janë shqiptuar dënime në vlerë 3.500 €,  ndërsa janë pranuar 50 raste të parabetonimit të pllakës (armaturës), dhe janë shqiptuar 42 dënime mandatore.

“Ky sektor ka inspektuar dhe mbikëqyre pothuajse për çdo lëndë në ndërtimtari duke udhëhequr procedurën e paraparë ligjore. Numri i ekzekutimeve ka qenë shumë më i vogël, arsyeja qëndron se edhe qytetarët nuk ndërtojnë pa leje në lokacionet ku ka plane detale dhe nuk ka ndërtime në prona publike,  në rrugë apo gjetiu, ku janë bindur se investimet janë të kota pasi këtë nuk e kemi lejuar”, ka thënë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Nga inspektimet në terren është konstatuar se 65 pronarë janë pajisur me leje ndërtimore.

Inspektorët prizrenas disa herë kanë njoftuar për intervenimin e tyre  duke i ndërprerë punimet në objekte të ndryshme të cilat po ndërtoheshin pa leje. Objektet e tilla kanë qenë në lokacione të ndryshme. Kështu është vepruar si në objekte të banimit individual ashtu edhe në ato kolektiv.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, disa herë ka deklaruar se në Prizren “duhet të vendoset rend dhe rregull, dhe të mos vazhdojmë më me të kaluarën”.

Inspektorati ndërtimtarisë ka 5 inspektorë ndërtimi, që sipas zyrtarëve është i pamjaftueshëm./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.