Universiteti i Prizrenit të hënën pritet ta zgjedh Rektorin, ja kush janë kandidatët

Universiteti Publik i Prizrenit (UPZ) “Ukshin Hoti” të hënën (nesër) pritet ta zgjedh rektorin e ri, pozitë kjo për të cilën në listën e ngushtë janë përzgjedhur pesë konkurrentë,  shkruan “GazetaePrizrenit.net” .

Këshilli Drejtues  (KD) që vepron në kuadër të këtij universiteti, pas një viti sërish pritet ta provojë zgjedhjen e drejtuesit të institucionit më të rëndësishëm edukativ në qendrën e dytë për nga madhësia, pas Prishtinës.

Portali “GazetaePrizrenit.net” ka mësuar se përpos Prof. Dr. Ismet Temajt, që aktualisht është ushtrues detyre i Rektorit, në konkurrencë janë edhe Prof. Dr. Kadri kryeziu, Prof. Dr. Naser Pajaziti, Prof. Dr.Bekim Berisha, si dhe Prof.Dr. Hamdi Hoti.

Përzgjedhja do të bëhet pas prezantimit të vizionit të tyre për UPZ-në nga kandidatët, ndërsa shpallja do të bëhet pas votimit nga Këshilli Drejtues, prej shtatë anëtarësh.

“Pretendentë kryesor për marrjen e këtij posti për një mandat 4 vjeçar janë Temaj dhe Kryeziu, që aktualisht është prorektor”, ka thënë për “GazetaePrizrenit.net” një burim zyrtar nga UPZ, që preferoi të mbetet anonim.

Statuti i UPZ-së parasheh që rektori të zgjedhet me 2/3 e votave të nevojshme.

Në maj të vitit të kaluar Ismet Temaj ishte zgjedhur për Rektor, por mbledhja në të cilën ishte bërë zgjedhja e tij u kontestua, për shkak të mungesës së kuorumit të KD dhe çështja kaloi në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Në dhjetor 2018, KD i këtij institucioni ka anuluar vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit, duke zgjedhur Temajn si ushtrues detyre.

UPZ është themeluar në vitin 2010, ndërsa ka rreth 10 mijë studentë. Pas rektorit ndërkombëtar themelues, këtë detyrë deri më tash e kanë kryer disa rektorë dhe ushtrues detyre. I fundit në këtë pozitë ishte Prof. Dr. Ramë Vataj./GazetaePrizrenit.net/