A do të fillojë me kohë viti i ri shkollor?
Por, edhe më 2 shtator, pavarësisht deklaratave të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Arsimit se mësimi do të fillojë pa ndonjë shqetësim të veçantë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka paralajmëruar reagim nëse nuk zgjidhet problemi i mbylljes së disa shkollave në Komunën e Kamenicës.
Për shkak të këtij problemi, në këtë komunë, mësimi mund të mos fillojë më 2 shtator, por nëse autoritetet përgjegjëse nuk gjejnë zgjidhje, sipas kryetarit të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, mund të vihet në pikëpyetje mbarëvajtja e mësimit në gjithë Kosovën.
Jasharaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse plani i Komunës së Kamenicës zbatohet për mbylljen e shkollës, greva do të përshkallëzohet në gjithë territorin e vendit. Ai thotë se si pasojë e këtij vendimi të Komunës së Kamenicës, shumë mësimdhënës mund të mbesin pa punë.
“Mësimdhënësit e Kamenicës do të fillojnë me grevë të përshkallëzuar, pastaj në ditën e dytë (3 shtator) do të ketë grevë dy orë, për t’i dhënë një javë kohë kryetarit të Kamenicës (Qëndron Kastrati) që bashkë me institucionet tjera të mendojnë dhe të tërheqin vendimin për mbylljen e shkollave, në emër të një reforme, siç po e quan ai”, tha Jasharaj.
Nëse Komuna e Kamenicës nuk e tërheq vendimin për mbylljen e këtyre shkollave, theksoi Jasharaj, atëherë SBASHK-u do të solidarizohet me mësimëdhënësit e kësaj komune duke shtrirë grevën në nivel të Kosovës.
Por, pavarësisht paralajmërimeve të SBASHK-ut, kryetari i Komunës se Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë se reforma në arsim do të fillojë gradualisht të zbatohet nga 2 shtatori.
Në një prononcim për Radion e Evropa e Lirë, Kastrati thotë se në këtë komunë veprojnë 17 shkolla fillore dhe të mesme me 12 paralele. Kurse reformat do të zbatohen në 10 shkolla.
Ai tha po ashtu se riorganizimi i shkollave po bëhet për arsye se ka numër të vogël të nxënësve në disa prej tyre, çka sipas tij, ndikon edhe në cilësinë e arsimit.
“Edhe kurrikula edhe ligji e rregullon se sa nxënës duhet të jenë në një klasë për të pasur një edukim cilësor. Kurse ne jemi në gjendje të rëndë. Nëse e shohim gjendjen, i kemi 25 klasë me vetëm nga një nxënës, 19 klasë tjera kanë vetëm nga 2 nxënës. Më shumë se gjysma e shkollave në klasat e para që kanë përfunduar kanë më pak se 5 nxënës. Andaj, qëllimi ynë është që të kemi 20 nxënës në klasë dhe dy paralele për gjeneratë. Pra, qëllimi kryesor janë nxënësit”, tha Kastrati, duke shtuar se edhe mësimdhënësit e këtyre shkollave nuk do të mbesin pa punë.
Ky riorganizim po konsiderohet sfidë edhe për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Alush Istogu, drejtor i Departamentit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht janë në bisedime me zyrtarë të Komunës së Kamenicës, që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të anashkalohet greva.
“Faktikisht në ato institucione arsimore është një numër i vogël i nxënësve. Por, janë disa procedura ligjore për këtë çështje. Ne si ministri jemi duke përgatitur grupin punues në nivel të Ministrisë së Arsimit së bashku me drejtoritë komunale të arsimit që të përgatisim planifikimin 2020/21 se si do të jetë rrjetëzimi i shkollave duke u bazuar në parametrat dhe kriteret që dalin nga aktet nënligjore”, tha Istogu.
Përveç këtij problemi që është paraqitur në Komunën e Kamenicës, përgatitjet tjera për fillimin e vitit të ri shkollor kanë përfunduar, thotë Istogu, duke shtuar se viti i ri shkollor 2019/2020 do të fillojë të hënën më 2 shkurt.
Edhe gjatë këtij viti të gjitha tekstet mësimore do të jepen falas për nxënësit e shkollës fillore.
Bashkë me fëmijët e tjerë, në bankat shkollore gjatë këtij viti do të ulen edhe fëmijët të cilët u kthyen nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Prej 74 fëmijëve sa u kthyen me familjet e tyre në Kosovë në prill të këtij viti,10 prej tyre i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.