A do të kompensohen – ZRRE deklarohet për konsumatorët e prekur nga gabimet e mundshme me njehësorët elektrikë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) tha se “në vazhdimësi është duke monitoruar” situatën lidhur me shqetësimet e paraqitura nga konsumatorët për devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
ZRRE tha se i siguron të gjithë konsumatorët se, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët relevantë, do të ndërmerren veprime konkrete me qëllim që të parandalohet çdo dëm i mundshëm ndaj konsumatorëve dhe të garantohet një proces i drejtë dhe transparent i matjes së energjisë elektrike.


ZRRE tha se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe “operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi” dhe se të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike.

“Gabimet eventuale nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht, në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi. Moszbatimi i këtyre detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas kornizës përkatëse ligjore”.
ZRRE u zotua se “mbetet e përkushtuar për transparencë, përgjegjësi dhe trajtim të drejtë të çdo ankese të paraqitur nga konsumatorët, dhe kjo në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”./FO
