02-05-2024

A do të vazhdojë Artan Abrashi, kryesimin e Kuvendit të Prizrenit?

Kuvendit  Komunal (KK) të Prizrenit me gjasë do t’i duhet që së shpejti ta zgjedh një drejtues të ri, pasi kryesuesi aktual, Artan Abrashi duket se më tepër po preferon postin e deputetit se sa pozitën aktuale.

Abrashi, në zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore të 6 tetorit ka kandiduar për postin e deputetit nga LVV dhe sipas rezultateve të subjektit të tij, duket se ka marrë vota të mjaftueshme.

“Njëherë jam në pritje të rezultatit përfundimtar, pastaj e shohim. Por me gjasë do të shkoj”, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” ai.

Abrashi  është zgjedhur në pozitën e kryesuesit të KK-së, në janar të vitit 2018, pasi Vetëvendosje mori pushtetin lokal në Prizren.

Por, një vit e gjysmë pas kryesimit, tashmë në organin më të lartë legjislativ të komunës ka ndryshuar raporti i forcave politike, që ia vështirëson VV-së mbajtjen e kësaj pozite.

Kjo pas daljes së Nismës nga koalicioni qeverisës, dy muaj më parë. Raporti i numrave në KK tashmë del kësisoj: PDK ka 11 vota,  AAK dhe Nisma nga 5, ndërsa si opozitë kanë shumicën e thjeshtë apo 21 nga 41 ulëset sa ka KK.

Nuk dihet ndërkaq, nëse kolegëve do t’u bashkohet Sinan Aliaj nga Nisma, i cili edhe mbledhjen e fundit të KK-së, të enjten që shkoi nuk përfilli vendimin për ta braktisur seancën, ashtu sikur veproi edhe në herën paraprake. /GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.