Sot ( e shtunë) në orën 11:30 është paraparë të mblidhet kryesia e LDK-së në Prizren. Nga ky takim, pos zgjedhjes së disa anëtarëve në strukturën udhëheqëse, pritet edhe një vendim rreth riformatimit të përbërjes së përfaqësuesve të këtij subjekti në qeverisjen lokale, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Burime brenda degës së LDK, me kusht anonimiteti, kanë thënë se pritet që t’i kërkohet dorëheqja drejtorit të Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashit dhe zëvendësimit të tij, për shkak se ka të ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, nga ana e Prokurorisë në Prizren.
Gjithnjë referuar burimit, në mbledhje pritet të diskutohet edhe për mundësinë e ndërrimit të drejtorit për Urbanizëm, Fatmir Memajt.
Gazeta ka provuar të flasë përmes telefonit me kryetarin e degës, Anton Qunin, por ai ka qenë i paarritshëm.
Po ashtu pritet që dega e LDK-së në Prizren ta rrit numrin e nënkryetarëve nga dy sa është aktualisht në 5 sosh.
Kështu nënkryetarëve aktual: Hatim Baxhakut e Driton Selmanajt, pritet t’u bashkohen edhe: Haxhi Avdyli, Xhavit Ukaj dhe Afërdita Morina-Biffar, ndërsa në këtë mbledhje pritet edhe zgjedhja sekretarit të Degës.
Në rast të vendimit për ndryshim të drejtorëve, atëherë pritet që dikush nga të porsazgjedhurit në postet e reja partiake t’i zëvendësojnë ata. /Gazetae Prizrenit.net /