Përfaqësues opozitar në Prizren e kanë kritikuar komunën për siç thonë politizim të projektit për shpërndarjen e motokultivatorëve, duke thënë se ka pasur favorizime të njerëzve partiak, meqenëse sipas tyre “përpos ndarjes me libreza partiake, njëri ndër kushtet për përfitim ishte edhe afërsia familjare”, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Prizren, dy ditë më parë ka bërë shpërndarjen e motokultivatorëve dhe mjeteve të imëta bujqësore për 60 fermerë përfitues.Vlera e përgjithshme e projektit është rreth 150 mijë euro.
Ilir Baldedaj, shef i grupit të këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, ka kritikuar komunën duke thënë se Mytaher Haskuka dhe drejtorët e tij po i çjerrin të gjitha maskat ende pa e bërë një vit qeverisje.
“Ndarja e motokultivatorëve nga drejtoria e bujqësisë është bërë sikur komuna e Prizrenit të ishte fis e farefis i VV, Nismës dhe LDK-së. Përpos që motokultivatorët u ndan me libreza partiake, njëri ndër kushtet për përfitim ishte edhe afërsia familjare”, ka thënë ai.
Ai ka shkruar në profilin e tij në facebook, se motokultivatorët i morën militantët apo të afërmit e zyrtarëve në pushtet, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
“I morën aktivistët… Deklaratat dhe zotimet e fushatës ishin mashtrim dhe gënjeshtër. Secilën ditë më shumë shihet fytyra e vërtetë e këtij pushteti. Erdhën në pushtet nën maskën e depolitizimit ndërsa po e thellojnë dyfish më shumë politizimin e çdo segmenti… Maska nuk ua mban më gënjeshtrën… Drejtorët e ç’veshën lakuriq Mytaher Haskukën dhe nuk ia lanë në trup asnjë petk nga ato të zotimeve”, ka shkruar Baldedaj.
Në njoftimin e komunës, thuhet se për të përfituar nga ky projekt kanë aplikuar rreth 180 fermerë, por sipas tyre komisioni përzgjedhës ishte përkujdesur që përfitues të jenë kryesisht fermerët të cilët nuk kanë pasur më parë përkrahje bujqësore, por që në këtë rast ata kanë plotësuar kriteret është dashur të participojnë me 25% të shumës së përfituar.
Ndryshe, para Baldedajt të AAK-së, ende pa u ndarë multikutivatorët, kritika ka pasur edhe nga njerëz të Nismës Socialdemokrate, parti kjo që është në koalicion qeverisës me Vetëvendosjen.
Anëtari i degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, Leart Batusha, në fillim të korrikut ka kritikuar LDK-në, që udhëheq me Drejtorinë komunale për Bujqësi për siç ka thënë politizimin e shpërndarjes së multikultivatorëve dhe të farës së misrit.
Në një postim në rrjete sociale, derisa ka demantuar disa anëtarë të degës së LDK-së, që kishin kritikuar përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në Prizren, në konkursin që ishte anuluar, Batusha, i cili për një kohë ka qenë administrues në Bashkimin Demokratik, njëkohësisht njeri shumë i afërt me Zafir Berishën, ka shkruar se LDK duhet ta departizojë përkrahjen materiale të bujqve të kësaj ane.
Në të dyja rastet, pas këtyre kritikave, “GazetaePrizrenit” përmes postës elektronike është interesuar të marrë edhe mendimin e drejtorit komunal të Bujqësisë, Egzon Elshanit, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje./GazetaePrizrenit.net/