A janë anuluar ekskursionet dhe mbrëmjet e maturës ë Prishtinë? Flet drejtori i Arsimit
Drejtoria e Arsimit ditë më parë ka marrë një vendim për të gjitha shkollat në Prishtinë, për pezullimin e përkohshëm të të gjitha aktiviteteve jashtëkurrikulare të shkollave përfshirë aktivitetet brenda dhe jashtë kryeqytetit, si ekskurzionet për klasat e nënta, mbrëmjet e semimaturës, mbrëmjet e maturës si edhe festimet e ditës së shkollave.
Në vendimin e Drejtorisë së Arsimit, i cili u është dorëzuar shkollave në kryeqytet, thuhet se ky vendim është marrë pasi që Drejtoria e Arsimit është në fazën përfundimtare të hartimit të Vendimit për organizimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare. Vendim ky i cili do të përfshijë dhe do të rregullojë të gjitha aktivitete jashtëkorrikulare të shkollave brenda dhe jashtë kryeqytetit, ekskursionet për klasat e nënta, mbrëmjet e semimaturës, mbrëmjet e maturës, festimet e ditës së shkollës etj.
“Deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Arsimit merr vendim të pezullimit të përkohshëm të të gjitha aktiviteteve jashtëkorrikulare, pavarësisht nëse ato janë të planifikuara të zhvillohen brenda dhe jashtë qytetit”, thuhet në vendimin e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë.
E drejtori i ri i Arsimit Samir Shahini tha për Indeksonline, se lajmi i cili bëri bujë për anulimin e këtyre aktiviteteve nëpër shkollat e Prishtinës, nuk qendron. Sipas tij këto aktivitete u pezulluan përkohësisht. Shahini tha se e gjithë kjo është bërë me qëllim të mbrojtjes së nxënësve, prindërve dhe shkollave.

“Ky nuk ka qenë anulim i asnjë aktiviteti, as mbrëmje të maturës, shëtitjeve apo ekskursioneve. Por ka qenë një pezullim i përkohshëm me qëllim të mbrojtjes së nxënësve, prindërve dhe shkollave, për procedura dhe thirrjet që ata bëjnë për përzgjedhjen e operatorëve, apo aktiviteteve të tjera të ngjashme derisa nuk kanë qenë të rregulluara me një akt normativ. Ne këtë akt e kemi finalizuar sot. Këtë akt e kemi përcjell në zyren ligjore dhe jemi në pritje të kontributit të tyre që ta përcjellim pastaj te të gjitha drejtoritë e shkollave. Nuk bëhet fjalë për anulim apo pezullim në afat të pacaktuar. Kanë qenë drejtorët e njoftuar dhe me heret që pezullimi ka për synim veç mbrojtjen e tyre derisa te kemi një dokument që rregullon këto çështje. Sot e kemi dokumentin, e kemi çuar në zyren ligjore dhe po e presim me shprenda me drejtortorët”, tha ai.
Ai thotë se vendimi ri për organizimin e aktiviteteve jashtëkurrikulave, do t’u shkojë sot apo më së largu nesër në mëngjes shkollave, sapo ta marrin atë nga zyra ligjore.
“Sa te kemi një vendim që rregullon këto, pezullimi nuk vlen më. Pezullimi ka qenë bash që s’kemi pasur një dokument të përditësuar. E kemi pasur një vendim të vitit 2016 që është hartuar. Mund ta merrni me mend sa rregulloret e sa udhëzimet administrative janë nxjerr ndër vite prej 2016-tës dhe ne nuk kemi pasur çare pa e përditësu dokumentin, që e rregullon brenda komunës këto, konform udhëzimeve, ligjeve. Prandaj e kemi kërkuar dhe mirëkuptimin e drejtorëve që të pezullohen përkohësisht që ata të mos bëjnë ndonjë gabim që kushton pastaj në aspektin ligjor apo kosto financiare për prindërit. Sepse po flasim dhe për mjete që mbledhen prej prindërve, për aktivitete të ndryshme. Dhe se këtu duhet me qenë shumë të kujdesshëm, mos me i bërë në formë të parregulluar. Ky dokument e rrit dhe e rregullon më mirë transparencen, llogaridhënien, mënyra si përfshihet DKA-ja. Mënyra se si përfshihet Këshilli drejtues i shkollës dhe këshilli i prindërve. Regullon dhe pjesen e aktivteteve nga organizatat joqeveritare, të cilat po e shohim shpesh herë, që kanë aktivitete të pakontrolluara ose të pamonitoruara apo të pa aprovuara prej Drejtorisë së Arsimit nëpër shkolla. Por asnjëherë me qëllim që këto të ndalen, por të rregullohen”, tha ai./Indeksonline/