26-04-2024

A ka mbetur në fuqi çmimi i rritur i energjisë

Prishtinë- Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), pas publikimit të vendimit nga Gjykata Supreme, deklaron se vendimi i Bordit të ZRrE-së i marrë më 8 shkurt 2022, mbetet në fuqi.

Ky reagim erdhi pasi Supremja të enjten ka aprovuar kërkesën e ZRrE-së, duke anuluar aktvendimet e Themelores dhe Apelit, lidhur me pezullimin e vendimit për faturat e reja të energjisë.

Lexo edhe:

“Zyra e Rregullatorit për Energji, njofton opinionin se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit ARJ nr.45/2022, ka ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka refuzuar si të pabazuar kërkesën-propozimin e paditësit, për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Përmes këtij Aktgjykimi të Gjykatës Supreme, vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji i marrë me 8 shkurt 2022, mbetet në fuqi”, thuhet në komunikatë.

“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, Bordi i Zyrës së  Rregullator të Energjisë gjatë gjithë punës së tij ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore në fuqi dhe ka ushtruar funksionet në mënyrë të pavarur. Bordi i ZRRE-së rikujton se çmimet e përcaktuara janë duke garantuar qëndrueshmëri dhe siguri në sistemin energjetik, rrjedhimisht reflektojnë kostot e sistemit”, thuhet tutje.

Në fund të kësaj komunikate theksohet se mbrojtja e konsumatorëve dhe e gjithë sistemit energjetik janë thelbësore për zgjidhje sistematike dhe afatgjate. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.