A ka përçarje në VV dhe kujt i çoi mesazh Kurti – deputeti Rexhaj jep versionin e tij
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka folur sa i përket përçarjeve brenda VV-së, për të cilat thotë se për shkak të anëtarësimeve të shumta në këtë parti, mund të ketë mospajtime.
Rexhaj në emisionin ‘Dpt te Fidani’ thotë se Lëvizje Vetëvendosje është rritur shumë dhe si pasojë mund të ketë mospajtime brenda organizatave të kësaj partie në komunat e Kosovës.
“Më shumë po e shoh si rritje të madhe të VV-së, në fakt kur zyrtarët tanë deklaronin se VV-ja po rritet me të madhe në atë kohë dikush e merrte me një lloj skepticizmi. Kur e ke një anëtarësi kaq të madhe me një numër kaq të madhe që anëtarësohen drejtpërdrejtë cdo ditë, natyrisht lindin mendime të ndryshme që mund të kenë pra, nuk po them konflikt apo aksident, por natyrisht prej mendimeve të ndryshme megjithatë mund të ketë mospajtime në kuptimin e lëmive të ndryshme të jetë shoqërore në Kosovë”, tha Rexha.
Rexhaj madje foli edhe për fjalimin e Kurtit që bëri në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së që u mbajt para disa ditësh, ku ai iu bëri thirrje për shmangie të konflikteve të brendshme dhe fushatave negative.
Ai thotë se kryeministri Kurti nuk iu ka drejtuar vetëm zyrtarëve brenda VV-së, por edhe aktivistëve.
“Rivalitet përherë ka pasur dhe ka por në kuptimin demokratik të fjalës. Por, ajo çfarë po them është kjo, VV-ja është rritur shumë. Rritja shumë e madhe ka edhe pretendime brenda organizatës të cilët mendojnë që mund ta udhëheqin një projekt një komune, apo kandidat për asamble, dhe natyrisht në këtë prizë mund të ketë një lloj rivaliteti pozitiv për ta udhëhequr një sektor, apo për ta marrë një detyrë. Kryeministri Kurti nuk iu ka drejtuar vetëm zyrtarëve brenda VV-së,, por ajo është parë si një filozofi përtej organizatës, e që shkon edhe drejt aktivistëve ku tashmë duhet të mësohemi më shtëpinë tonë të re, e cila kjo shtëpi politike është shumë e madhe”, shtoi Rexhaj./GE