23-11-2024

A ka pësuar metamorfozë Shaqir Totaj? ( pjesa 2 )

Kryetari Totaj, në gjysmën e mandatit ka dështuar në përmbushjen e shumë premtimeve në arsim (njërin prej sektorëve kryesorë), si në përzgjedhjen meritore të mësimdhënësve, heqjen e shkumësit nga përdorimi në shkolla, e të mos flasim për digjitalizim. Tashmë nuk janë as shujtat ditore në shkollat fillore.

Asgjë nuk bëri as për mësimdhënësit që vazhdojnë realizimin e të drejtave për shujta dhe paga jubilare përmes gjykatave, duke i shkaktuar dëme buxhetore komunës, formë që kryetari e kishte kritikuar. Për më keq, derisa mësuesit “sorollaten” nëpër gjykata, Komunës i teprojnë mjete,  8 milion euro vitin e kaluar, e sivjet jozyrtarisht flitet për 7 milion suficit.

Në drejtorinë e Arsimit, Totaj as që “guxon” të prekë. Siç u tha, shkaku i mënyrës së punësimeve përmes “ndërmjetsimit në një farmaci”, LDK në opozitë reagoi përmes aksionit me moton “Shaqa Farm”, të mbajtur para zyrës së Kryetarit.

Përkundër premtimeve, jo që s’ka ndërmarrë asgjë të dukshme për depolitizimin e arsimit, por për më keq procesi i përzgjedhjes së drejtorëve në kohën e Totajt, u komprometua. Kuvendarja Naxhije Memaj (LDK), gjatë mbledhjes në Kuvend, direkt e përmendi rastin e paracaktimit për përzgjedhjen e drejtorit në shkollën e Legjendës. I freskët është edhe skandali i publikuar në medie, ku në një audio-incizim, vetë anëtari i panelit përzgjedhës të drejtorëve, Arben Shala tregonte për mënyrën e përzgjedhjes së drejtoreshës së gjimnazit “Gj. Buzuku”, duke përmendur edhe “trika” gjatë procesit të intervistimit.

Për këto veprime, vitin e kaluar mediet raportuan se një organizate të sapo regjistruar në emër të këtij personi, në formë të subvencioneve iu dhanë 14 mijë euro. Opozita tash e akuzoi Totajn për “shpërblim të individëve të caktuar, për shërbimet e kryera në procesin tashmë të komprometuar të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, e si duket kjo praktikë sikur vazhdoi, ku të njëjtit person iu dha tenderi prej 25 mijë euro”, në emër të Hartimit të një plani zhvillimor të Arsimit, ndonëse ai nuk ka punuar asnjëherë në arsim, por që shërbeu si vegël e pushtetit.
LDK konsideroi, se një qasje e tillë e Totajt është e papranueshme dhe e dënueshme.

Në arsim sot flitet për konkurse të kurdisura, Investime sipas “jaranive”, transfere sipas dëshirave, mbajtjen e mësimit me nga 30 minuta në disa shkolla, shkaku i investimeve pa kohë, mungesë të mësimdhënësve me javë e muaj nëpër shkolla, dhënie të honorarëve, dhënie të pushimeve pa pagesë të mësimdhënësve (përkundër që ligji parasheh vetëm në raste specifike).

Totaj kishte deklaruar se në asnjë mënyrë nuk do të lejonte vazhdimin e mandatit të tretë për drejtor shkolle, pavarësisht performancës, aq më pak në të njëjtën shkollë. Sot i ka së paku 15 të tillë!

Kryetari nuk e përmbushi as premtimin për matjen e performancës për drejtorët komunal, të premtuar që do ta bënte çdo gjashtë muaj.

Në opozitë ai kërkonte profesionistë me përvojë e të dinjitetshëm për t’ia hartuar programin për Arsim, ndërsa tash i quan ekspertë ata që s’kanë punuar kurrë në këtë fushë.  Totaj “doli qesharak” kur në tabelat e vendosura në “Shtëpitë shkolla”( gjatë viteve të 90-ta ) vuri firmën e tij, ndonëse s’ka asnjë meritë për atë kohë.

Nuk di që ka ndonjë kryetar tjetër, që ka deklaruar publikisht se premtimet e fushatës, dallojnë nga realizimet në pushtet.

Në Prokurori janë duke u shqyrtuar, tri Kallëzime Penale për “ndërtime pa leje” ndaj drejtorëve të Totajt, bërë nga LDK-ja.

Totajt i doli boja edhe në rastin e privatizimit të KF Liria, ku u kritikua nga opozita për dhënie  mjetesh një klubi të privatizuar dhe tentim-përvetësim të sukseseve të saj, dhe heshti tash kur ajo rrezikon rënien nga liga.

Përndryshe derisa Kryetarit tashmë i janë larguar disa nga miqtë e sinqertë, ai mban afër persona, të cilët jo që fare nuk besonin në fitoren e tij, por deklaronin se me të, as në balotazh nuk do të  arrijnë.

Këto dhe shumë të tjera, të cilat do të pasqyrohen në të ardhmen bëjnë të parashtrohet pyetja: A ka pësuar metamorfozë Totaj apo pushteti ia shfaqi karakterin e vërtetë?!
Shumë nga miqtë që e njohin e thonë këtë të dytën!

Lexo edhe:

A ka pësuar metamorfozë Shaqir Totaj?

Asnjë koment

Comments are closed.