A ka qenë i arrestuari për spiunazh në listën e pagave të Komunës së Dragashit
Kryetari i Komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini, ka reaguar pas publikimeve në rrjete sociale dhe portale, në të cilat pretendohet për përfshirjen e tij, LDK-së dhe Komunës së Dragashit në rastin e arrestimit të Feim Salit.
Xheladini i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe shpifëse, duke thënë se kanë, sipas tij, “prapavijë të qartë politike” dhe synojnë dëmtimin e imazhit të tij dhe të qeverisjes komunale.

Ai ka sqaruar se Feim Sali nuk është punëtor i Komunës së Dragashit dhe, sipas tij, nuk ka qenë asnjëherë në listën e pagave të institucioneve komunale. Xheladini ka mohuar gjithashtu se Sali është mësimdhënës në sistemin arsimor të Kosovës apo bashkëpunëtor i Qeverisë Komunale.
Sipas kryetarit të Dragashit, Sali në vazhdimësi i është drejtuar Komunës me kërkesa për projekte për hidrocentrale dhe panele solare, të cilat, siç thotë ai, janë refuzuar nga institucionet komunale.

“Sa i përket arrestimit të Feim Salit, kjo është çështje që u përket organeve kompetente të drejtësisë dhe jo institucionit të Komunës apo kryetarit që e drejton këtë institucion”, ka deklaruar Xheladini.

Ai ka paralajmëruar se do t’u drejtohet organeve të hetimit për të denoncuar, siç ka thënë, çdo përpjekje për njollosjen e emrit të tij dhe të Komunës së Dragashit.
![]()
Xheladini u ka bërë thirrje mediave dhe personave që publikojnë informacione për këtë rast që të bazohen në fakte dhe të mos përdorin raste individuale për, sipas tij, qëllime politike.
