23-04-2024

A mund të shkojë edhe Prizreni në karantinë?

Shkuarja e shpejtë në karantinë e Prizrenit varet nga rezultatet e testit të kontakteve  të dy mjekëve të Prizrenit, të cilët  janë testuar sot.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, sapo ka njoftuar se në rast se ka raste të reja me COVID-19, atëherë këshilli i Institutit të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë mund të rekomandojnë masa të karantinës edhe për Prizrenin, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Të infektuarit e fundit në Prizren janë dy mjekë dhe një infermier nga spitali regjional i Prizrenit, dhe një roje në ujësjellës. Po ashtu, më herët është infektuar edhe një doganier, një stomatolog, që erdhi nga jashtë.

Burime të portalit njoftuan se bëhet fjalë për një interniste dhe një anesteziolog,  dhe se ky i fundit kishte pasur kontakte me të infektuarën, 70-vjeçare nga Korisha, që vdiq të hënën.

Kjo ndikoi që edhe fshati Korishë të futet në karantinë.

Derisa ende nuk dihet për Prizrenin, komuna fqinje e Suharekës, si dhe kryeqendra e vendit, Prishtina, prej sot nga ora 17:00 janë futur zyrtarisht në karantinë.

Në kontekstin e masave ndaj pandemisë, Qeveria ka njoftuar se edhe pas datës 13 prill vazhdojnë masat parandaluese dhe lëvizjet do të lejohen vetëm nga ora 06:00 deri 17:00. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.