14-07-2020

LDK gati për Qeverinë e re, Mustafa u kërkon anëtarëve të KP-së që të votojnë me PO ose me JO për koalicionin

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjatë ditës së sotme u ka dërguar nga një email secilit prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të partisë.

Sipas një komunikimi të brendshëm, të cilin e ka siguruar Gazeta Blic, Isa Mustafa ka kërkuar nga anëtarët e KP-së që deri më datë 14 prill të përcaktohen nëse janë për apo kundër një koalicioni me AAK-në e Nismën si dhe minoritetet.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm vitin e kaluar, në të cilën kemi diskutuar për koalicionet qeverisëse, kishim preferuar të bëhen përpjekje për koalicion pas zgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Këshilli u shpreh kundër një koalicioni LDK-PDK. Nuk ishte shprehur kundër koalicionit me AAK dhe me Nismën si dhe me partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë. Meqenëse situata ka ndryshuar, kemi nevojë të përcaktohemi për koalicion të ri, në kushtet kur mbi bazën e kritereve kushtetuese do t’i ofrohej LDK-së ta bëjë shumicën për ta themeluar qeverinë”, ka shruar ndër të tjera Isa Mustafa.

I pari i LDK-së i ka përcaktuar edhe kriteret për përbërjen e kabinetit qeveritar, raporton Gazeta Blic.

“Kriter i Qeverisë së re për LDK do të jetë që asnjë anëtar i Qeverisë të mos ketë pasur dhe të mos ketë problem me ligjin, të kenë zotësi profesionale dhe të vlerësohen të pranueshëm nga qytetarët”, thuhet ndër të tjera në këtë letër, të cilën e ka siguruar Gazeta Blic.

Për shkak të gjendjes me pandeminë, Mustafa u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshēm, që të deklarohen me PO ose me JO, për koalicionin me AAK- Nisma dhe Minoritete.

“A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet.

Përgjigja:​​PO ​ose ​JO

Ju lutem që të përgjigjeni përmes emailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”, thuhet në njoftim.

Ndiqeni të plotë letrën interne, që Mustafa ua ka dërguar anëtarëve të KP-së së LDK-së:

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,

Më 25 mars të këtij viti, me iniciativën e LDK-së, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 82 vota për dhe 32 vota kundër, miratoi mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Nga Grupi Parlamentar i LDK-së, mocionin e votuan 24 deputetë, 3 votuan kundër dhe një deputet nuk mori pjesë në mbledhje.

Mocionit i parapriu mosmarrëveshja lidhur me heqjen e tarifës, që shkaktoi rrezikim të raporteve me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shkarkimi arbitrar, me sjellje poshtëruese dhe denigruese ndaj LDK-së si partnere e koalicionit, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu, nga pozita e Ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike.

Pas mocionit të mosbesimit, Kryeministri në detyrë, z. Kurti, pa asnjë njoftim dhe paralajmërim shkarkoi nga detyra Zëvendëskryeministrin e parë, z. Avdullah Hoti. Me gjithë këto veprime, për shkak të gjendjes me COVID-19 jam deklaruar se nuk do t’i tërheqim ministrat e tjerë nga Qeveria në detyrë dhe se bashkëpunimi me ta mbetet vullnet i Kryeministrit në detyrë, z. Kurti.

Në emër të LDK-së jam shprehur se nuk ka kushte për zgjedhje të reja dhe se duhet të shtirren të gjitha rrugët kushtetuese për themelimin e një qeverie të re nga Kuvendi ekzistues. Të njëjtat qëndrime i kanë të gjitha partitë parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm vitin e kaluar, në të cilën kemi diskutuar për koalicionet qeverisëse, kishim preferuar të bëhen përpjekje për koalicion pas zgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Këshilli u shpreh kundër një koalicioni LDK-PDK. Nuk ishte shprehur kundër koalicionit me AAK dhe me Nismën si dhe me partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë.

Meqenëse situata ka ndryshuar, kemi nevojë të përcaktohemi për koalicion të ri, në kushtet kur mbi bazën e kritereve kushtetuese do t’i ofrohej LDK-së ta bëjë shumicën për ta themeluar qeverinë.

Konsideroj se Qeveria e ardhshme do të ketë si objektiva kryesore: përballjen e menjëhershme me pandeminë e COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e kësaj pandemie, përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, si dhe krahas këtyre objektivave edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kriter i Qeverisë së re për LDK do të jetë që asnjë anëtar i Qeverisë të mos ketë pasur dhe të mos ketë problem me ligjin, të kenë zotësi profesionale dhe të vlerësohen të pranueshëm nga qytetarët.

Prandaj, në pamundësi që të takohemi për shkak të situatës së krijuar nga pandemia me COVID-19, kërkoj që të deklaroheni përmes e-mailit me sa vijon:
– A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet.

Përgjigja:​​PO ​ose ​JO

Ju lutem që të përgjigjeni përmes emailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00.

Ju falënderoj shumë në bashkëpunim,

Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Asnjë koment

Comments are closed.