23-11-2024

A po rritet numri i lejeve ndërtimore në Prizren?

Një javë pas zhbllokimit  të procesit për dhënien e lejeve ndërtimore, pas ankesës së kompanisë së hekurudhave ‘Infrakos’, zyrtarët komunal të Prizrenit flasin për më shumë leje të lëshuara nga komuna.

 

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka deklaruar se që nga heqja e pezullimit të Planit Zhvillimor Komunal nga Gjykata Themelore e Prishtinës, numri për dhënien e lejeve ndërtimore, në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, është shtuar dukshëm.

 

“Përveç qytetarëve dhe bizneseve që tanimë mund t’i realizojnë projektet e tyre ndërtimore, përfituese në këtë rast është edhe Komuna e Prizrenit, me të hyrat nga pagesa e taksave për këto leje”, ka shkruar ai në facebook.

 

Sipas kryetarit, numri i lejeve ndërtimore është rritur edhe falë punës efikase të Drejtorisë së Inspektorateve,  ku me këtë rast është shtuar edhe vetëdijesimi i qytetarëve për t’i respektuar ligjet në fuqi. “Komuna do të vazhdojë të ketë zero tolerancë ndaj çdo ndërtimi pa leje, prandaj lusim qytetarët që para se të fillojnë me projektet e tyre ndërtimore, fillimisht të pajisen me lejet përkatëse”, ka përfunduar Haskuka.

 

Procesi i bllokimit të lejeve ndërtimore ka zgjatur afro 6 muaj. Ndryshe, përfaqësues të AAK-së në Kuvendin Komunal në Prizren, një ditë ditë më parë kanë shfaqur dyshime se persona të tretë “të fuqishëm”  nga hekurudha dhe komuna, mund të përfitojnë pas marrëveshjes së Komunës së Prizrenit dhe Infrakosit./gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.