24-11-2024

A po shkon KF “ Liria” drejt privatizimit?

Kuvendi Komunal i Prizrenit mund ta shqyrtojë mundësinë e privatizimit të KF Liria. Zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me klubin e futbollit Liria, e kanë shtyer Kuvendin Komunal të Prizrenit që të merret konkretisht me situatën në klub.

Bardhezinjtë sivjet kanë rënë në një rang më të ulët të garave, ndërsa as gjendja financiare në klub nuk është në nivel të kënaqshëm për shkak të borxheve, kryesisht të trashëguara.Pas privatizimit të KF Ferizaj, i cili u privatizua duke u blerë me 51% të aksioneve nga ish futbollisti anglez Brian Deane, këto ditë në media doli lajme se interesim për KF Liria ka shprehur edhe një biznesmen tjetër i huaj.

Fjala është për gjermanin Franz Berger, ish drejtor sportiv i klubit gjerman Hannover 96, i cili ka shprehur interesimin e tij zyrtarisht tek Komuna e Prizrenit, pasi që klubi mban statusin publik dhe aksionet janë në pronësi të vetë komunës. Duke pasur parasysh gjendjen jo të mirë financiare, dështimin nga aspekti sportiv për shkak të rënies nga Superliga, dhe interesimin e shfaqur nga jashtë për ta blerë klubin, Kuvendi Komunal i Prizrenit sot ka vendosur që çështjen e Lirisë ta diskutojë në mbledhjen e këtij muaji që do të mbahet më 18 korrik.

Në këtë mbledhje të Kuvendit, një prej pikave të rendit të ditës është edhe ajo për formimin e komisionit mbikëqyrës për KF Liria. Topsporti.com ka mësuar se qëllimi i formimit të këtij komisioni është ta analizuar gjendjen në klub, duke përfshirë gjendjen financiare dhe organizative, dhe më pas ky komision të raportojë në Kuvend për të gjeturat në klub.

Ndërkaq pas raportimit në Kuvend do të shqyrtohet edhe mundësia për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për situatën në klub, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e shqyrtimit të statusit juridik, që do të thotë mundësinë e privatizimit të klubit./Topsporti

Asnjë koment

Comments are closed.