20-04-2024

Në Prizren përkujtohet 24-vjetori i masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Organizuar nga shoqata e komunitetit boshnjak “Sharski Behar”, sot në Prizren është përkujtuar 24-vjetori i masakrës së Srebrenicës në Bosnjë, që përbën krimin më të rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në kujtim të viktimave është organizuar “Marshimi i Paqes”, që nisi nga lagjja “Ralin” e Prizrenit, ku pos qytetarëve të komunitetit boshnjak, pati edhe nga komunitetet tjera, që marshuan drejt qendrës së Prizrenit, në “Shadërvan”.

Marshuesit mbanin pankartën ku shkruante “Mos e harro Srebrenicën”, si dhe flamuj të Kosovës, Shqipërisë e të Turqisë.

Pas marshimit në qendrën e qytetit “Keji” në mjedis të hapur u mbajt një program përkujtimor, ku nga një grup i fëmijëve të Tiranës pati një shfaqje në përkujtim të dëshmorëve të Srebrenicës, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Rasim Demiri, zëvendësministra, deputet, si dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Më 11 korrik të vitit 1995, njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiç-it okupuan Srebrenicën dhe kryen masakrën. Në këtë enklavë, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara, pësuan mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë, të moshës 12 deri 77 vjet, që u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Kujtojmë se Srebrenica është krimi më i madh masiv në tokën evropiane pas Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.