26-04-2024

A po shndërrohet qendra e Prizrenit në “kamp” të lypsarëve?

Dikush të prekë anash, dikush ta shtrinë dorën, dikush ta thotë refrenin e njëjtë e në kërkim të lëmoshës ka lypsarë të atillë, që edhe të përqafojnë. Këto janë imazhe të përditshme në “shatërvanin” e Prizrenit, të cilin, pos vendësve  pothuajse çdo ditë e frekuentojnë  edhe vizitorë  të huaj.

Për shumë qytetarë, kjo tashmë është bërë e bezdisshme.  Qytetarët  N. Gashi e A. Kastrati, thanë se disa herë u është dashur ta ndërrojnë vendin, duke e lënë qendrën për të dalë në pjesë tjera, për shkak se lypsarëve, të cilët, sipas tyre janë bërë të shumtë dhe nuk të lënë “as në hallet tua”, ndonëse njeriu del nganjëherë edhe për t’i harruar brengat e përditshme.

Derisa qytetarët kërkojnë intervenimin e policisë largimin e lypsarëve, edhe Policia deklarohet se numri i tyre në sheshin “Shatërvan” shqetëson edhe organet e rendit, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha, tregon se për këtë arsye policia ka ndërmarrë disa plane operative e aksione ditore për largimin dhe procedimin e lypsarëve,  ndërsa ata nga  Shqipëria janë depërtuar me vendim te gjykatës  kompetente.

“Operacione  për largimin e tyre kemi pasur që nga 2016-ta,  ndërsa dy herë gjatë vitit 2017,  përfshirë edhe ato gjatë muajit gusht, kur ka më shumë vizitorë, sikurse që në vazhdimësi ka pasur reagime ditore”, ka thënë ai raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Referuar informatave dhe situatës në terren, policia  mendon se ka rënie të numrit të lypsarëve,  por megjithatë shprehet se edhe ky numri aktual nuk është i vogël .

Sipas policisë,  një çështje  që duhet trajtuar nëpër takime, sidomos në ato të  Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, është çështja e fëmijëve, të cilët janë kategoria kryesore e lypsarëve përbën vështirësi  për t‘u trajtuar pa angazhimin edhe të institucioneve civile, si Qendra për Punë Sociale dhe institucionet tjera,  të cilat trajtojnë  fëmijët, shumica e të cilëve janë nën 14 vjet.

Në këtë kontekst, njoftohet se edhe Njësia Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Prizren ka  pasur disa reagime e trajtime të këtyre rasteve, në aspekt të keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve  (në rastet kur prindërit kanë shtyrë apo kanë kryer lypsari së bashku).

Sipas  policisë, vitin e kaluar nga kjo njësi janë iniciuar  9 raste.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.