A po shpërfillen organet e trashëgimisë gjatë rrënimit të shtëpive në Prizren?

Komuna e Prizrenit, një ditë më parë ka njoftuar se ka filluar t’i rrënojë ndërtesat e vjetra dhe të amortizuara, që janë në degradim e sipër, ngase ato paraqesin rrezik për kalimtarët.

Sipas njoftimit të Komunës, identifikimi i këtyre objekteve është bërë nga një komision i formuar nga Drejtoria e Emergjencave, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërkohë, zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kanë pohuar se nuk kanë qenë pjesë e komisionit të sipërpërmendur dhe se nuk kanë pranuar as ndonjë kërkesë për pëlqim për rrënimin e këtyre ndërtesave të vjetra.

Monitoruesit nga shoqëria civile kanë shprehur qëndrimin se organet komunale mund të kenë argumente se veprimi ka qenë i nevojshëm për hir të sigurisë së qytetarëve, por, megjithatë, kanë theksuar se “vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore”.

Komuna e Prizrenit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka filluar rrënimin e ndërtesave të vjetra, që paraqesin rrezik për kalimtarët, pas vlerësimit të komisionit të formuar nga Drejtoria e Emergjencave.

Valon Xhabali nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka pohuar se sipas legjislacionit Ministria e Kulturës, përkatësisht Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, është autoriteti kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore.

Komuna e Prizrenit më 13 prill të këtij viti kishte njoftuar se trashëgimia kulturore-historike, ruajtja dhe konservimi janë prioritete për Komunën./koha.net/