Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019 i prezantuar këto ditë flet për gjendje alarmante të keqmenaxhimit të parasë publike në Komunën e Prizrenit.
Mungesa e dokumentacionit për lëshimin e lejes ndërtimore, Parregullsi në angazhimin e stafit për shërbime të veçanta, fituesi i kontratës me obligime ndaj ATK-së, pastaj mangësi gjatë subvencionimit të OJQ-ve, Vonesa në ekzekutimin e kontratave, Nivel i lartë i obligimeve të paguara jashtë afatit ligjor, janë vetëm disa nga të gjeturat alarmante për nivelin e keq të qeverisjes.
Nga 29 rekomandime të Auditorit për KK të Prizrenit; 12 nuk janë zbatuar fare, 3 pjesërisht, 6 të mbyllura dhe vetëm 8 të zbatuara, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Publikimi i këtij raporti ka nxitur reagimin e opozitës në Prizren.
Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj ka thënë se të gjeturat për shkelje të shumta të Auditorit çojnë edhe në dyshimet për korrupsion, dhe se PDK po e analizon raportin për adresimin e shkeljeve në Prokurori.
Sipas tij, në vitin 2019 Komuna e Prizrenit kishte realizuar 84 % të buxhetit final (kurse realizimi i investimeve kapitale vetëm 72 %, që e ka diskualifikuar nga e drejta për grantin e performancës që jepet donacion nga shtetet mike.
Dega e LDK-së ka reaguar, duke kërkuar nga Prokuroria fillimin e hetimeve për të gjitha të gjeturat e auditimit për qeverisjen lokale “ku janë gjetur shumë parregullsi e që në fakt janë keqmenaxhim (edhe i qëllimshëm për përfitime personale) i parasë së taksapaguesve”.
Shefi i grupit të asambleistëve të AAK-së, Ilir Baldedaj ndërkaq ka deklaruar se raportit i Auditorit flet për një gjakderdhje financiare në Prizren.
Në anën tjetër për të njëjtin raport, kryetari i Komunës Mytaher Haskuka ka dhënë një version krejt tjetër, duke e vlerësuar atë si më të mirin deri tash për komunën, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Lexo edhe:
Kuvendari Quni: Fëmijët e ish-UDBASH-ëve po privilegjohen në institucionet e Prizrenit
Nisur nga ky vlerësim, shtrohet pyetja nëse kryetari i Prizrenit po thirret në të njëjtin raport, në të cilin po bazohet opozita, apo ai ka ndonjë tjetër më të favorshëm ose thënë ndryshe po e interpreton ashtu siç i pëlqen atij.
Institucioni i Auditorit është institucion dhe raporti është dokument zyrtar profesional, ndërsa faktet janë ashtu siç janë paraqitur në fillim të këtij shkrimi.
Me deklarimet kësisoj, kryetari prizrenas a po përpiqet të shpërndajë mjegull?!
Një përpjekje e tillë e Haskukës mund të arsyetohet vetëm nëse nga problemet e shumta që e kanë përfshi komunën e Prizrenit, e për të cilat opozita, mediet dhe qytetarët çdo ditë e më tepër janë kritik, kryetari po tenton ta paraqes si diçka pozitive, në mesin e shumë dështimeve për të cilat po akuzohet Komuna e Prizrenit.
A thua edhe me këtë rast Haskuka po orvatet ta mbulojë të vërtetën?
Ndaj veprimeve të tilla ka komentuar edhe kryetari i degës së Nismës, njëherësh zv/ministri i MPB-së, Zafir Berisha, teksa ka deklaruar se të verbuar për pushtet, të hipnotizuarit e Albinit dhe LVV-së, pa vetëdije vazhdojnë t’i shërbejnë agjendave, duke recituar vjersha të mësuara përmendsh nëpër konferenca shtypi, me të cilat tentohet që ta “bindin” qytetarin se uji rrjedh përpjetë e jo teposhtë! /GazetaePrizrenit/
Lexo edhe:
Pezullohet konkursi në Drejtorinë e Turizmit në Prizren, shkaku i parregullsive në përzgjedhje