25-04-2024

Kuvendari Quni: Fëmijët e ish-UDBASH-ëve po privilegjohen në institucionet e Prizrenit

Anëtari i Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit nga Nisma Socialdemokrate, Shukri Quni, ka deklaruar se në Prizren po rikthehet një regjim tashmë i tejkaluar, ndërsa qeverisja aktuale po u jep përparësi fëmijëve të ish-UDBASH-ëve (ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit serb).

Ai ka deklaruar kështu në mbledhjen e fundit të KK-së, ndërsa ka folur për gjendjen e rënduar në arsim, ku shumica e shkollave janë me ushtrues detyre të drejtorit e zv/drejtorit, disa madje prej dy vitesh.

Derisa Quni e ka vlerësuar si tendencioz veprimin e kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, ka kërkuar nga mësimdhënësit e sidomos femrat në arsim, ta ngritin zërin e arsyes, ndaj formës së shkarkimit të disa drejtorëve e zëvendësdrejtorëve të shkollave, si nipit të Heroit Remzi Ademaj, e  sidomos të femrave, dy prej të cilave studente të Unionit të Pavarur të ish-SHLP “Xhevdet Doda”,  që  ishin burgosur nga regjimi serb i Milosheviçit në vitin 1998.

Kuvendari Quni,  që është pjesë e shumë legjislaturave të KK-së, ka thënë se shkarkimi me zarfe nga pushteti është një lloj kërcënimi dhe se kjo mund t’u ndodh jo vetëm drejtorëve,  por edhe arsimtarëve.

“Disa kanë punuar edhe pa paga për  Kosovën, por ata që kanë kontribuuar për shtetin e Kosovës tash po degradohen. Fëmijët e ish-UBBASH-ëve dhe atyre që kanë punuar me masat e dhunshme, ata që kanë pasur revole me leje e kanë marrë shtesa fëminore  (dodaci za dijete – në gjuhën serbe) janë duke u privilegjuar nëpër institucione”, ka thënë Quni.

Ai tha se duke ju referuar disa informacioneve,  jo vetëm që është shkarkuar drejtori i gjimnazit gjuhësor, por madje është diskutuar edhe shuarja e shkollës  “Remzi Ademaj” që mban emrin e Heroit e komandantit të parë të UÇK-së për rajonin e Prizrenit, gjoja me arsyetimin se nxënësit po e bllokojnë rrugën, që sipas tij është një arsyetim absurd .

Kuvendari Quni ka thënë se ka mundësi që Haskukës vendimet t’i kenë ardhur të servuara vetëm për nënshkrim, duke caktuar ushtrues detyre në shkolla.

“Për mua Haskuka nuk është kryetar. I kam thënë edhe këtu, ai është vetëm një qytetar i Prizrenit. Ai po na degradon në këtë kuvend, ndërsa ne nuk kemi ardhur nga rruga, pasi secili prej kuvendarëve ka mbi 700 vota”, ka thënë ndër tjera Quni. /GazetaePrizenit.net

Lexo edhe:

Pezullohet konkursi në Drejtorinë e Turizmit në Prizren, shkaku i parregullsive në përzgjedhje

Asnjë koment

Comments are closed.