23-04-2024

A rekomandohet që mësimi të nisë më 13 shtator

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se pavarësisht të gjitha përgatitjeve për të filluar vitin e ri shkollor, rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP-ja janë që të vazhdohet me masat që janë në fuqi, duke nënkuptuar që mësimi fizik të mos fillojë as më 13 shtator.

“Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në Facebook.

Sipas saj, është rishikuar dhe publikuar “Udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 në kushtet e Pandemisë COVID-19” dhe i njëjti është dërguar edhe në drejtoritë komunale të arsimit.

“Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka përgëzuar mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

Asnjë koment

Comments are closed.