AAK kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të KK-së, për festivalin “Zambaku i Prizrenit”
Dega e AAK-së me kërkon mbledhje të jashtëzakonshme, pas konfirmimit zyrtar për mosmbajtjen e edicionit jubilar të 30 të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”. Në një komunikatë thuhet se ky subjekt e ka marrë me shqetësim këtë lajm.
Ilir Baldedaj, shef i Grupit të Kuvendarëve të këtij subjekti politik, njofton se gjatë ditës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve me kërkesë për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, me pikë të vetme të rendit të ditë mos mbajtja e festivalit. “Për ne është e pakuptueshme, por edhe e patolerueshme një sjellje e këtillë e DKRS-së, prandaj kërkojmë përgjegjësi. Duhet të jep përgjigje dhe përgjegjësi ai që guxoi ta ndërpres traditën” thotë ai.
Në AAK thonë se nuk i dinë arsyet e ndërprerjes së traditës për mbajtjen e festivalit. “I kemi dilemat tona, që prapa vendimit për mosmbajtje të festivalit “Zambaku i Prizrenit” pos paaftësisë fshihet edhe një tendencë e qëllimshme për degradim të vlerave tona. Besojmë se brenda ditës do të mblidhen nënshkrimet dhe seanca duhet të mbahet në afat treditor nga dorëzimi i kërkesës”, ka thënë ai.
Një ditë më parë, Baldedaj ka kërkuar shkarkim të menjëhershëm të Drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.