26-04-2024

AAK në Prizren: Vetëvrasjet po kalojnë vetëm si lajme, pa masa konkrete

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ndaj rasteve të fundit tragjike, të vetëvrasjes së dy nxënësve.

“Vetëvrasja e parë e një nxënëseje në Prizren ishte një lajm shqetësues, i cili u konsumua veç si një lajm… Vetëvrasja e dytë ishte brengosëse dhe në opinionin publik përsëri u konsumua veç si një lajm tragjik për vetëvrasjen e dytë…”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet: lajmi se në Prizren edhe një nxënëse “tentoi” të bëjë vetëvrasje është shqetësuese dhe brengosëse njëkohësisht, dhe po vazhdohet gjithçka të konsumohet si lajm, i cili komentohet një ditë si shqetësim e brengë dhe vetëm kaq… ose së paku opinioni publik nuk e di se po ndodh ndonjë hap konkret…

“Kalimi me kaq qetësi i vetëvrasjeve është i pakuptueshëm… Pyetja të cilën duhet shtruar është u vetëvranë këta fëmijë engjëj apo i “vramë” me injorancën tonë, me lënien e arsimit në “mëshirën” e individëve të papërgjegjshëm, që sistemin arsimor e degraduan deri në masën e shtyrjes së nxënësve në aktin e vetëvrasjes”, thuhet ndër tjera në reagim.

“Të gjithë pa përjashtim duhet të ndihemi fajtor dhe të gjithë duhet të kontribuojmë në përmirësimin e gjendjes depresive të nxënësit tanë, por detyrë të parë duhet ta kenë institucionet duke filluar nga drejtori i Arsimit deri te kryetari. Hetimin nuk duhet ta bëjë vetëm policia, por edhe drejtoria e Arsimit edhe kryetari i Komunës dhe duhet ndërmarrë masa radikale për ta ndryshuar gjendjen depresive. Ndryshe me dorën tonë po e vrasim të ardhmen tonë”, përfundon reagimi i AAK-së./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.