12-12-2024

Dëshmitari thotë se ka prova që agjenti i shitjes nuk ka dorëzuar mjetet në “Stone Castle”

Dëshmitari Ismet Hulaj, ka deklaruar se ka dëshmi që mjetet që i ka marr agjenti i tyre, Vegim Krasniqi nuk i ka dorëzuar në ndërmarrjen “Stone Castle”. Këtë deklaratë, e ka bërë në seancën e së martës në rigjykimin që po zhvillohet ndaj Vegim Krasniqit, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit në detyrë”.

Ai akuzohet se në cilësinë e agjentit të shitjes ka përvetësuar shumën e parave prej 17.689.52 euro, gjegjësisht se ka marr kundërvlerën e mallit të shitur dhe ato nuk i ka dorëzuar punëdhënësit, sipas mënyrës së paraparë në kontratë.

Ky dëshmitar, kishte dhënë deklarata në prokurori si dhe kishte dëshmuar edhe para trupit gjykues me përbërje tjetër në gjykimin e parë, andaj ndaj tij trupi gjykues, prokurori si dhe pala e dëmtuar nuk kanë parashtruar pyetje shtesë. Dëshmitari ka deklaruar se qëndron prapa deklaratave të dhëna.

Për dëshmitarin pyetje ka pasur i akuzuari Vegim Krasniqi, i cili e ka pyetur se si “Interex” dhe restoranti “Villa Gërmia” i paguajnë borxhet përmes xhirollogarisë apo në formën kesh përmes agjentit të shitjes.

“Shumë mirë edhe ky e din, blerësit varësisht nga shuma e faturës, mbi 500 euro është ligji që nuk guxon mi marr kesh dhe duhet përmes xhirollogarisë. Por, ka raste nën 500 euro që është paguar kesh dhe përmes xhirollogarisë nga agjentët tregtarë – punëtorët tanë. Për rastin konkret nuk e di, mirëpo ekzistojnë të dhënat në shërbimin tonë të kontabilitetit dhe nëse ka nevojë ne ju dëshmojmë”, është përgjigjur dëshmitari.

Pas kësaj përgjigjeje, i akuzuari ka deklaruar se sipas tij, edhe qoftë edhe një euro, ajo paguhej përmes bankës. Paraprakisht, gjatë seancës është prezantuar edhe fjala hyrëse nga palët në procedurë.

Prokurori Kujtim Munishi, ka deklaruar se i akuzuari në cilësi të agjentit të shitjes në regjionin e Prishtinës me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për vete në mënyrë të kundërligjshme e ka keqpërdorur detyrën si i punësuar në ndërmarrjen “Stone Castle” .

Sipas prokurorit, te i akuzuari është besuar një detyrë e caktuar dhe ka pasur autorizim sipas kontratës shitjen e produkteve të kompanisë dhe i njëjti ka keqpërdorur këto autorizime me qëllim të përvetësimit për vete të shumës në vlerë prej 17.689.52 euro.

Kurse, i akuzuari ka mohuar në vazhdimësi se ai ka kryer këtë vepër penale dhe ka deklaruar se nuk ndihet fajtor.

“Mund të deklaroj për provat. Së pari provë është biseda me pronarin, është procesi ku figuron borxhi im a në realitet ata e paguajnë përmes xhirollogarisë, jo te unë, fjala është për restorane e markete. Për shumën e parave që akuzohem do të vërtetohet se kjo shumë e parave është shpenzuar për ndërtimin dhe renovimin e zyrës dhe depos në Prishtinë që gjendet pas “Bororamizit”. Të gjitha këto shpenzime do t‘i argumentoj me prova”, tha në fjalën hyrëse, i akuzuari.

Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Agron Aliçka, ka deklaruar se do të parashtrojnë kërkesë pasurore juridike.

“Jemi të dëmtuar për 17.689.52 euro ,edhe ne si ndërmarrje e dëmtuar nuk i kemi lejuar këtij asnjë cent për të bërë shpenzime. Parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike për kompensimin e shumës së lartcekur duke llogaritur edhe kamatën prej 8%”, deklaroi përfaqësuesi i palës së dëmtuar Agron Aliçka.

I akuzuari Krasniqi ka propozuar që si dëshmitar  të dëgjohet Rrahman Rama, deklarata e së cilit ishte konsideruar e lexuar në gjykimin e mëparshëm, këtë propozim e ka aprovuar trupi gjykues.

Kurse, për propozimin që të dëgjohet si dëshmitar pronari i bodrumit “Stone Castle”, Rrustem Geci, gjykata deklaroi se do të vendos më vonë.

Këtë propozim e kanë kundërshtuar prokurori dhe pala e dëmtuar, pasi e kanë konsideruar të panevojshëm.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 11 korrik. Më 30 qershor 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë, Krasniqin e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim me kusht prej 1 viti e 8 muajsh, dënim që nuk do të ekzekutohej nëse i njëjti në afat prej 3 vitesh nuk kryen vepër tjetër penale./betimipërdrejtësi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.