20-04-2024

Afati për dorëzimin e dosjes paraprake, s’pajtohen mbrojtja e Veselit dhe Prokuroria

Përmes një shkrese drejtuar gjyqtarit paraprak, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që të hedh poshtë kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit, me anë të së cilës ishte kërkuar që dosja paraprake e prokurorisë të dorëzohet deri me 1 qershor 2021.

Sipas kësaj shkrese, më 24 Mars 2021, mbrojtja e Kadri Veselit ka paraqitur kërkesën e saj paraprake në lidhje me kohën e dosjes paraprake të prokurorisë.

Në shkresë thuhet se pasi u soll në vëmendjen e mbrojtjes së Veselit se për kërkesën ishte vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake, pothuajse dy javë më parë në 12 Mars 2021, mbrojtja e Veselit parashtroi kërkesën e saj që ZPS të urdhërohej të paraqiste dosjen paraprake, kësaj radhe deri më 1 qershor 2021, raporton BPD.

Tutje, thuhet se ZPS ka treguar qartë datën më të hershme në të cilën mund të sigurohet një material paraprak gjyqësor i lidhur me Rregulloren 95 (4), dhe arsyetimin për atë kohë.

Sipas ZPS-së, ajo që në fakt kërkon mbrojtja e Veselit është një përmbysje e plotë e procesit paragjyqësor, në formën e një përmbledhje paragjyqësore para se të përfundohen listat e dëshmitarëve dhe provave ose të zbulohen materialet përkatëse.

“Jo vetëm që një kërkesë e tillë është në kundërshtim me logjikën, me praktikën përkatëse dhe me kornizën e zbatueshme, por mbrojtja e Veselit, nuk ka dhënë asnjë bazë për një masë të tillë të jashtëzakonshme. Në të vërtetë, siç e ka përshkruar më parë ZPS, parashtresat që mbështesnin kërkesat ishin të pabazuara”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas ZPS-së, kjo kërkesë nuk reflekton asgjë më shumë se mospajtim me vendimin e gjyqtarit paraprak mbi kërkesën dhe është një përpjekje e pambështetur për të kërkuar rishikimin e saj, duke kërkuar përsëri pa bazë një përmbledhje para-gjyqësore.

Tutje, thuhet se kjo kërkesë mund dhe duhet të hidhet poshtë dhe se gjithashtu dështon në meritat e saj.

Më 18 nëntor ishte mbajtur konferenca e parë mbi ecurinë e çështjes.
Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’).

Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues./EkonomiaOnline/

 

Asnjë koment

Comments are closed.