Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ drejt fundit: A do të ketë befasi nga VV, PDK e AAK?
Afati përfundimtar për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ po afrohet. Ndonëse kanë mbetur më pak se 24 orë nga skadimi i këtij afati, asnjë prej partive të mëdha politike nuk e ka dorëzuar listën në KQZ.
Deri me tani, vetëm LDK-ja e ka bërë publike listën e saj për deputetë, pas miratimit të saj në Këshill Drejtues.
LVV-ja, PDK-ja dhe AAK-ja ende nuk i kanë publikuar listat e tyre, ndonëse kanë bërë me dije se organet e tyre partiake i kanë miratuar ato.
Afati i fundit për dorëzimin e listave në KQZ nga subjektet politike është nesër në ora 16:00.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë me dije se deri me sot në KQZ, pesë subjekte politike kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë.
“Deri më tani (10 dhjetor) kemi pranuar aplikimet nga 5 subjekte politike, prej tyre 4 parti politike dhe 1 iniciativa qytetare. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 122 kandidatë. Subjektet politike që kanë paraqitur aplikimin e tyre janë: 1.Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – 35 kandidatë; 2.Jednstvena Goranska Partija (JGP) – 29 kandidatë; 3.Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI) – 35 kandidatë; 4.Srpska Demokratija (SD) – 13 kandidatë; dhe 5.Narodna Pravda – 10 kandidatë”, ka thënë Elezi.