Agim Veliu me deklarata të forta kundër Vjosa Osmanit dhe koalicionit me Vetëvendosjen
Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu, që udhëheq edhe bastionin e kësaj partie në Podujevë, si duket nuk ka dalë i kënaqur nga rezultati i Lidhjes Demokratike në zgjedhjet e gjashtë tetorit. Në një bisedë për Gazetën Express, Veliu flet për Vjosa Osmanin në pozitën e Ministres së Jashtme, e për koalicionin me Vetëvendosjen.
Njeriu i dytë në LDK pas Isa Mustafës, Agim Veliu, që ishte edhe ndër më të zëshmit që kishte kundërshtuar një koalicion të mundshëm parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje e nuk u duk fort i lumtur kur Vjosa Osmani u propozua nga partia si kandidate për kryeministre, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dalë mirë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.
Në një bisedë për Gazetën Express, Veliu thotë se pavarësisht se dikush po e paraqet si rritje përqindjen e LDK-së, në zgjedhjet e kaluara nacionale kjo parti kishte pasur përqindje më të madhe. Kjo deklaratë e tij vjen një ditë pasi që Osmani e prezantoi rezultatin e LDK-së në këto zgjedhje si më të mirin që nga viti 2004.
“LDK-ja nuk ka dalë mirë. LDK-ja nuk ka humbë se nuk ka qenë në pushtet, po LDK-ja nuk ka fituar edhe përqindja e këtyre zgjedhjeve, edhe pse dikush po mundohet me prezantu sikur rritje, nuk ka rritje, që në dy palë zgjedhje të kaluara LDK-ja ka qenë në përqindje më e madhe sesa që e ka përqindjen tash. Në zgjedhjet e kaluara nacionale ka qenë një përqindje më e madhe”, thotë Veliu, derisa shton se ka disa faktorë se pse LDK-ja doli si parti në zgjedhje, e për këtë duhet pyetur ekipi zgjedhor e vetë Vjosa Osmani.
“Këtu ka shumë faktorë, nuk është vetëm një, sigurisht këtë pyetje duhet me ia shtu në radhë të parë kandidates edhe ekipit. Unë ende nuk e kam një vlerësim të qartë. Jam duke punu në këtë drejtim. Sigurisht do të mblidhen organet e partisë, do ta shqyrtojnë krejt ecurinë edhe sigurisht do ta kemi një qëndrim, do të vijmë te një e vërtetë”, ka thënë ai.
Nënkryetari i LDK-së ka dyshime edhe për një bashkëpunim të mundshëm me Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Veliu thotë se të dy partitë kanë dallime në programe.
“Vallai shtir e ka se programet tona janë të ndryshme edhe pse prapë këtu dikush po mundohet me paraqitë se këto janë të njëjta. Programet tona janë shumë të ndryshme edhe si parti edhe nuk do të jetë e lehtë, po duhet me bisedu edhe me bë përpjekje me u afru nëse ka ndonjë mundësi, nëse ka hapësirë”, shton, derisa komenton edhe takimin e djeshëm të bërë në mes të krerëve të dy partive.
“Ne fillimisht edhe pse ka ndodhë një takim i parë që nuk është diskutu faktikisht ndonjë modalitet, ne do ta diskutojmë në organet e partisë, edhe do të marrim vendim, çdo vendim të partisë e respektoj”, shton ai.