14-12-2024

AKK-ja paralajmëron mungesë të pagave për punonjësit e disa komunave

Në fillim të tetorit, Komuna e Vitisë u përball me vonesë të pagave për disa punonjës të sektorit publik.
Ministria e Financave kishte bërë të ditur se Komuna nuk ka siguruar buxhet të nevojshëm, shkruan IndeksOnline.

“Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”, kishte njoftuar Ministria.

Ndërkohë, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës paralajmërojnë që mund të ketë përsëri probleme me paga.

Drejtori ekzekutiv i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për IndeksOnline se gjatë nëntorit pritet që 12 komuna të kenë mungesa në paga.

Ibrahimi pohoi se kjo rezulton nga shënimet që AKK-ja ka mbledhur nga komunat.

“Gjatë dhjetorit, nëse vazhdon ky trend i zbatimit të kontratave kolektive, mbi 25 komuna mund të jenë në minus për kategorinë e pagave” tha Ibrahimi.

Sipas AKK-së, përgjegjësi direkte për paga ka qeveria e Republikës së Kosovës, e cila duhet të bëjë zgjidhje njëjtë si ka bërë për komunën e Vitisë e të Suharekës.

“Qeveria duhet të mendojë që të ketë një zgjidhje për paga dhe për kontratë kolektive” tha Ibrahimi.

IndeksOnline ka kontaktuar Ministrinë e Financave për të marrë një deklarim zyrtar, por që deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Asnjë koment

Comments are closed.