25-11-2024

Aksidenti tragjik në Biraqë, ku vdiqën 5 anëtarë të familjes, ndër më të rëndit në rajonin e Prizrenit

Familja pesë anëtarëshe Sadikaj, që vdiq sot në aksidentin në Biraqë të Suharekës ishte nga fshati Sopi, ndërsa punonte në Zvicër.

Policia në Prizren, tha se bashkë me  kryefamiljarin J.S, 32 vjeçar vdiq edhe gruaja,  dy fëmijët e tyre si dhe nëna e vozitësit.  Ata kishin ardhë në vendlindjen e tyre në Suharekë për pushime verore. Vetura ndërkaq ishte me tabela të Kosovës.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Prizren, Vesel Gashi tha se nga hetimet e para, del se shkak për aksidentin me përmasa tragjike, që ndodhi rreth orës 13 e 20 ishte mospërshtatja e vozitjes më kushtet e rrugës, ndërkohë që po binte shi.

Dëshmitarët thanë se vetura kishte goditur autobusin.

Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, që i ka shprehur ngushëllime familjarëve, ka njoftuar se do të marrë vendim që dita e varrimit të shpallet Ditë Zie në Komunën e Suharekës.

Ky aksident, ndërkaq është ndër më të rëndit në rajonin e Prizrenit. Zyrtari policor, Gashi tha se që nga viti 1980 kur punon në polici, nuk mban mend nonjë rast më të rëndë të ketë ndodhur.

Ndërsa në rrugën e njëjtë kanë ndodhur edhe më parë aksidente fatale./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.