23-04-2025

Aksion në Prizren i Antidro*gës së Gjakovës – bastisje, arrestime dhe dro*gë e sekuestruar

Pas suksesit të djeshëm në luftën kundër narkotikëve, forcat antidrogë nuk janë ndalur. Njësia e Gjakovës ka shtrirë operacionet në Prizren, ku sot në mëngjes është zhvilluar një tjetër aksion i fuqishëm që ka rezultuar me arrestime dhe sekuestrime të konsiderueshme të substancave narkotike.

Gazeta Sinjali mëson  nga burime të sigurta se operacioni ka filluar në orët e para të ditës, si vazhdim i hetimeve që kanë qenë duke u zhvilluar prej javësh.

Të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar janë disa individë të njohur për veprimtari kriminale të përsëritura, të cilët dyshohet se kanë krijuar një rrjet të shpërndarjes së drogës brenda dhe jashtë qytetit të Prizrenit.

Sipas informacioneve të siguruara nga terreni, disa persona tashmë janë arrestuar, ndërsa në lokacionet e bastisura janë gjetur dhe konfiskuar sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, të gatshme për shpërndarje.

Bastisjet janë në vazhdim dhe operacioni nuk ka përfunduar.

Burimet e Sinjalit konfirmojnë se hetimet janë duke u zgjeruar dhe se në shënjestër janë edhe persona të tjerë, për të cilët ekziston dyshimi se janë pjesë e këtij zinxhiri kriminal.

Aksioni i sotëm vjen vetëm një ditë pas një tjetër goditjeje të suksesshme që çoi në pranga disa trafikantë dhe zbulimin e një sasie të madhe droge, çka dëshmon një ofensivë të organizuar dhe të vendosur të Policisë ndaj rrjeteve të shpërndarjes së narkotikëve.

Asnjë koment

Comments are closed.