Aksioni mes Policisë kosovare, SPAK-ut dhe FBI: Të arrestuarit dyshohen për administrim të tregjeve kriminale online
Policia e Kosovës, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas veprimeve hetimore disa mujore, ka zhvilluar aksion në 2 lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Gjilan, që rezultoi me tre të arrestuar.
Dy rastet RYDOX dhe BlackD janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI) dhe të arrestuarit dyshohen për administrim të tregjeve kriminale online.
Në rastin RYDOX ka pasur bashkëpunim edhe me autoritetet e Shqipërisë (SPAK dhe Policia e Shtetit – Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike) ku është bashkërenduar operacioni policor me ç’rast edhe në Shqipëri është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova.
“Të dyshuarit në rastin RYDOX, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”, raporton Gazeta Sinjali. Ky treg online ka qenë i dedikuar për keqbërës të cilëve u ka ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime të kundërligjshme, përfshirë të dhëna personale të viktimave (shtetas amerikan) si: emra, adresa, numra të sigurimit social, patent shoferi, e-mail adresa dhe fjalëkalime, dhe të dhëna të llogarive bankare për qasje online.
Tregu kriminal online ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë ky server është sekuestruar. – njoftoi Prokuroria Speciale.
Ndërsa në rastin tjetër, i dyshuari ka udhëhequr tregun kriminal online BlackDB, për qëllime kriminale, duke ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan.
“I dyshuari në rastin BlackDB, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online “BlackDB”. Ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu “BlackDB” i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti.”
Gjatë operacionit policor, në lokacionet ku janë kapur të dyshuarit, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Kriptovaluta; Kompjuterë llaptop; Shtëpiza kompjuteri; Telefona mobil; Pajisje memorizuese.
Me vendim të Prokurorit Special tre të arrestuarit ndalohen për 48 orë.
Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor dhe gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së.